English

Kantrimen: Të zhbllokohen rrugët në veri të Kosovës

Prishtinë, 3 gusht 2011, NOA – Kur situata në veri të Kosovës gjendet ende nën potencialin e tensionit, Zëvendësndihmës/Sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen ka konfirmuar se vendi i tij mbështet fuqishëm sovranitetin e shtetit të Kosovës, duke kërkuar largimin e barrikadave të serbëve në veri.

Zyrtari i lartë amerikan ripërsëriti qëndrimin e Uashingtonit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër çdo ideje për ndarjen e Kosovës.

një intervistë dhënë Televizionit të Kosovës Kantrimen deklaroi prerë se “Qëndrimi i SHBA-ve në ndarjen e Kosovës është i qartë. Nuk do të ndodhë. Kjo nuk është temë e diskutimeve në dialogun Prishtinë-Beograd. Por, as BE-ja nuk e konsideron si opsion”, theksoi ai.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës zv/ndihmëssekretari Kantrimen kërkoi zhbllokimin e rrugëve në veri.

“Barrikadat në veri do të duhej të hiqen. Liria e lëvizjes së KFOR-it është shumë e rëndësishme për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nëse KFOR-i nuk mund të përgjigjet në mënyrë të shpejtë, KFOR-i duhet të ketë mundësinë të reagojë“, ka thënë Kantrimen.

Lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në dërgimin e forcave speciale në veri javën e kaluar, Kantrimen deklaroi se qëllimet duhet të arrihen me veprime mirë të menduara dhe në bashkëpunim me Bashkësinë Ndërkombëtare.

Ai kritikoi zërat, qoftë në Beograd qoftë edhe në Prishtinë se EULEX-i është armik. “Këta janë partnerët tuaj me të cilët duhet të bashkëpunoni”, tha Kantrimen.

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë dialogun dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

Kantrimen ritheksoi se SHBA-të kërkojnë zgjidhje paqësore të çështjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, do të diskutojë në 24 gusht për situatën në Kosovë, përfshirë edhe rrethanat e fundit të krijuar në veri të Kosovës.

Në këtë mbledhje, siç njoftohet në faqen zyrtare të OKB-së, do të diskutohet raporti i rregullt tremujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon rreth situatës në Kosovë.

RTK/NOA

KOMENTE