English

Votat e komunës Shalë do numërohen në KQZ

Tiranë, 22 gusht 2011, NOA/Arjola Ymeraj – Pas bllokimit të procesit të numërimit të votave në komunën Shalë të Shkodrës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që votat e pesë qendrave të votimit të komunës Shalë të numërohen në Tiranë.

Kryetari i KQZ-së Arben Ristani propozoi në mbledhjen e sotme të KQZ-së që materialet zgjedhore të komunës Shalë të dërgohen në Tiranë dhe të merren në dorëzim nga KQZ.

Propozimi i Ristanit u miratua me shumicë votash, ndërsa hasi në kundërshtinë e përfaqësuesit ligjor të PS-së në KQZ, Eridian Saliani.

Vendimi për numërimin e votave të komunës Shalë në tryezën e KQZ-së erdhi pas bllokimit të numërimit të votave në KZAZ-në 42 në Shkodër, ku sekretari i komisionit zonal përfaqësues i PD-së u largua duke marrë me vete edhe vulën.

Mbledhja e shkurtër e KQZ-së u përmbyll, ndërkohë që pritet që materialet zgjedhore nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të policisë të mbërrijnë sot në mbrëmje në Tiranë.

Më pas KQZ do të vendosë për ditën e numërimit të tyre që duhet të jetë brenda pjesës së parë të kësaj jave.

Për komunën Shalë garojnë Dedë Tonaj kreu aktual i komunës kandidat i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe Bal Vuksani që garon nën siglën e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”.

Raundi i tretë i zgjedhjeve në komunën Shalë vijoi i qetë dhe pa asnjë problem.

Tashmë pritet që në ditët e fundit të muajit gusht, pra afro katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve vendore të 8 majit, KQZ të shpallë rezultatin e zgjedhjeve lokale në mbarë vendim, vendim i pashpallur ende për shkak të mos përmbylljes së procesit zgjedhor njëkohësisht në të tërë vendin.

mit/NOA

KOMENTE