English

Bashkia inspekton tregjet, gjobiten shkelësit e kushteve higjeno- sanitare

Tiranë, 3 shtator 2011, NOA- Bashkia e Tiranës nëpërmjet një inspektimi ka kontrolluar tregjet në kryeqytet ku dhe është shprehur për marrjen e masave për cilësinë e produkteve.

Në aksionin i cili erdhi pas paralajmërimit të bërë një javë më parë, u verifikuan kushtet higjeno-sanitare dhe u vendosën masa pë shkelësit.

Kanë qenë strukturat përkatëse të Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin Urban, ato që vendosën dhjetëra gjoba dhe mbajtën akte- bllokimi, ndaj subjekteve që tregtojnë produkte kimike.

Gjatë këtij inspektimi u vendosën mbi 10 gjoba dhe disa bllokime, ndaj subjekteve të tregtimit të bombolave të gazit.

Më tej u morën masa shtrënguese dhe gjoba, edhe për subjektet e tregtimit të ushqimeve të cilat nuk respektonin kriteret higjeno- sanitare.

Ndërkaq, Drejtori i Kontrollit mbi Territorit Urban në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi theksoi se strukturat përkatëse do të ndërhyjnë kudo ku shkelen rregullat e tregtimit dhe paralajmëroi për masa me gjobë.

“Sot, ne kemi nisur verifikimin e subjekteve tregtare pranë tregjeve, në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës. Ky është aksioni i dytë në nivel të gjerë, pas një aksioni fillestar, të bërë ditë më parë për paralajmërimin e subjekteve, që të tregtojnë në kushte të përshtatshme higjeno-sanitare si dhe po verifikojmë tregtimin e shitjes së produkteve të rrezikshme, helmet apo pesticidet. Ne u bëjmë thirrje subjekteve, të respektojnë kushtet e duhura higjeno-sanitare, ndryshe do të përballen me masa penalizuese”.

Mësohet se në fazën e kontrollit të parë u vërejtën mbi 50 subjekte të cilat nuk respektonin kushtet e duhura dhe morën paralajmërim.

Sakaq Inspektorët e Kontrollit të Territorit Urban, të ndarë në 7 grupe kanë nisur verifikimin e tregjeve në Bashkinë e Tiranës, në bashkëpunim edhe me nivelin qendror, me strukturat e Drejtorisë së Zjarrfikësve dhe Policisë nga Zjarri.

Më tej theksohet se, vijojnë edhe aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje, ku Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik, në Bashkinë e Tiranës ndërmori sot aksionin e radhës, për prishjen e një ndërtimi pa leje katër katësh, në zonën e Kombinatit, ndërtim i bërë më muajt e fundit, pa respektuar asnjë kriter ligjor. Nga ana e tij, Drejtori i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha përsëriti mesazhin e tij për qytetarët e Tiranës, për të mos thyer ligjin, duke shtuar se aksionet janë shtrirë në gjithë qytetin.

“Ky është aksioni i radhës i Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Tiranës, për prishjen e ndërtimeve pa leje. U ribëj thirrje qytetarëve, të respektojnë ligjin dhe të mos harxhojnë mund dhe para kot, me ndërtime pa leje, pasi ligji do të veprojë mbi ta”, - tha Hoxha.

a.y/NOA

KOMENTE