English

Rriten me 92 % eksportet, Berisha: Portal zyrtar për të ndriçuar labirintet e burokracisë

Tiranë, 7 shtator 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se eksportet e mallrave Made in Albania janë rritur në këtë tetëmujor të parë të vitit 2011 me 92 përqind. Duke ia kushtuar pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë këtij zhvillimi ekonomik, shefi i qeverisë deklaroi se kjo është një rritje thelbësore e eksporteve këta tetë muaj krahasuar me tetë muajt e vitit të shkuar, që shënoi për disa arsye rritje prej 92 përqind të eksporteve të mallrave shqiptare. “Eksportet shqiptare në tetëmujorin e parë të vitit 2011 janë rritur me 25 miliardë lekë apo mbi mbi 250 milion dollarë. Kjo është një rritje shumë e rëndësishme, e cila shpreh dinamizmin e admirueshëm të ekonomisë shqiptare”, tha kryeministri, duke theksuar se rritja e eksporteve është një nga treguesit më thelbësorë të rritjes së konkurueshmërisë në ekonomi, të rritjes së interesit në masë të investitorëve për ekonominë shqiptare, të rritjes së punësimit. “Rritja e eksporteve gjatë këtij tetëmujori të parë shoqërohet nga një rritje e ndjeshme e mallrave të manifakturës, çka lidhet më shumë se çdo gjë tjetër me punësimin”, nënvizoi zoti Berisha. Kryeministri shtoi se kemi edhe një rritje të eksporteve bujqësore, e cila sipas tij dëshmon se fermerët po përballen suksesshëm me fermerët e vendeve fqinje. Duke theksuar se ky vit shënon trefishimin e eksporteve shqiptarenjë hark kohor më pak se gjashtëvjeçar, kryeministri Berisha e cilësoi këtë si një sukses madhor të modelit ekonomik të qeverisë shqiptare. “Kjo është një arritje e jashtëzakonshme kur i referohesh recensionit ku kanë rënë vende të mëdha e të vogla në Europë”, tha kryeministri, duke theksuar se ky lajm pozitiv inkurajon qeverinë të bëjë gjithçka për të ndihmuar biznesin me qëndrimet më transparente dhe më pak burokratike ndaj tij. Për këtë arsye kryeministri theksoi se do të nisë sa më parë çelja e portalit zyrtar, që do t’i ndihmojë biznesmenët të monitorojnë çdo hallkë, nëpër të cilën kalon dokumenti apo kërkesa me synimin për t’u shkurtuar atyre sa më shumë kohë. “Kjo do të thotë që ne do të bëjmë përpjekjet më të mëdha për përsosjen e këtij modeli, konsolidimin e shtyllave të tij. Është biznesi dhe vetëm biznesi gjallëria, dinamizmi vizioni i tij dhe që mbron vendin nga kriza ekonomike”, tha kryeministri, duke përmendur se Shqipëria ka kapur çatinë e botës sa i përket lirisë fiskale dhe reformave të tjera lehtësuese për biznesin. Por, në këtë pikë ai tha se mbetet ende shumë për të bërë. “Të nisim sa më parë portalin zyrtar të vendit më transparentin, për të ndriçuar plotësisht labirintet e burokracisë. Ju do të përcaktoni të gjitha burimet njerëzore dhe materiale që ky portal të jetë një nga realitetet më të suksesshme, në mënyrë që drita të përshkojë të gjithë burokracinë tonë”, i tha kryeministri anëtarëve të kabinetit të tij. “Që të rrisim efiçencën tonë e të bëhemi shërbëtorë sa më të mirë të qytetarëve dhe biznesit”, vlerësoi ai, duke shigjetuar përpjekjen e opozitës për të dëmtuar imazhin e bankave me propagandë ogurzezë, se rritja e pagave nuk do të arrihet, me cilësimin se ajo rezultoi një mashtrim periodik që shkon ndesh me parashikimet që pasuan sipas tij funksionimin e modelit ekonomik të qeverisë. Vijon... mit/NOA

KOMENTE