English

Rishfaqen tensionet, serbët bllokojnë urën mbi lumin Ibër

Mitrovicë, 15 shtator 2011, NOA – Në prag të vendosjes së doganierëve të Kosovës në pikat kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakës nesër në 16 shtator, në veri të Kosovës janë rishfaqur tensionet. Serbët lokalë kanë bllokuar urën mbi lumin Ibër, duke zbrazur së paku katër maune me zhavorr mbi të. “Gjatë natës së mbrëmshme në Mitrovicë u zbrazën së paku katër maune me zhavorr mbi urën e lumit Ibër si dhe u dëmtua një kamera e sigurisë në veri të Mitrovicës”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Ai siguroi se Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i do të koordinohen për veprimet e mëtejshme në veri të Kosovës. “E rëndësishme është se nuk ka persona fizikë të tubuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ndërsa pengesa fizike është prezente. Policia e Kosovës ka rritur masat e sigurisë në zonat e banuara me popullatë të përzier në veri”, tha Hoti. Forcat serbe në veri janë vënë në lëvizje pas paralajmërimeve të Qeverisë se Kosovës se nga e premtja do të hapen vendkalimet kufitare 1 dhe 31. REL/NOA

KOMENTE