English

Kosovë, mediat: Doganierët vendas mbërrijnë në doganat në veri

Kosovë, 16 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Në orët e para të ditës së sotme ka nisur plani operacional për vënien në funksion të dy pikave kufitare në veri. Mediat kosovare, duke cituar ministrin e brendshëm, Bajram Rexhepi pohojnë se kanë mbërritur dhe kanë marrë detyrën e tyre në doganat në veri të vendit, doganierët kosovarë. Rexhepi ka deklaruar se situata është e qetë dhe pa probleme.

Kryeministri Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar për fillimin e implementimit të planit operacional të Qeverisë për respektimin e marrëveshjes për vulat doganore në pikat kufitare 1 dhe 31. Këto deklarata, kryeministri Thaçi i bëri në takimin e sotëm të jashtëzakonshëm të Qeverisë duke nënvizuar faktin se, aksioni ishte një fillim i suksesshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit. “Ju njoftoj se sot në orët e mëngjesit ka filluar implementimi i planit operacional të Qeverisë së Kosovës për respektimin e marrëveshjes për vulat doganore në 1 dhe 31. Edhe pikat doganore 1 dhe 31 do të funksionojnë si të gjitha pikat tjera kufitare me rregullat e njëjta. Pra, procesi i implementimit të planit ka filluar me sukses në mëngjes. Doganierët dhe Policia e Kosovës bashkë me atë të EULEX-it dhe KFOR-it, tashmë, janë në dy pikat kufitare”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ftoi Beogradin që të heq dorë nga përpjekjet destabilizuese dhe të pranojë se Kosova është e pavarur, ndërsa serbët e veriut që të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës: “Po ashtu, mesazh për qytetarët në veri, me mesazhin e bashkëpunimit, ofrimit, mirëkuptimit, tolerancës ndëretnike, mesazhin e Qeverisë për bashkëpunim. Ne do të jemi në krye të përgjegjësive për rend dhe ligj, për particim në jetën politike që të ketë zgjedhje të lira, që të ketë edhe atje investime socio-ekonomike. Partneriteti është çelësi i suksesit e jo barrikadat”, ka shtuar Thaçi.

Reagon Serbia: Jo shtetit të Kosovës

Mediat kosovare raportojnë se, dhjetëra serbë ne mesin e tyre edhe pjesëtarë të MUP-it, të prirë nga i ashtuquajturi kryetar i Këshillit Nacional për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq, kanë marrë pllaka betonit për t’i dërguar në magjistralen e Ibrit, përkatësisht në vendin e quajtur Zupq. Thuhet se ekstremistët serbë me këto pllaka kanë për qëllim që të bllokojnë automjetet e KFOR-it për të shkuar në drejtim të pikës kufitare Bërnjak. Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanoviç ka mbërritur në barrikadën e vendosur në urën e Ibrit, në mbështetje të tubuesve serb. Bogadanovic ka deklaruar për mediat se serbët nuk do të lejojë që shqiptarët të arrijnë planin e tyre sa i përke pikave kufitare, raporton Zëri. “Nuk do të lejojmë që shqiptarët të bëjnë çfarë të duan. Nuk pajtohemi kurrë që të krijohet shteti i Kosovës në Serbi. Protestuesit e kanë përkrahjen e Serbisë. Qytetarët po protestojnë qetë dhe ne nuk jemi të interesuar që të shkaktojmë dhunë. Qytetarët nuk duhet t’u binden urdhrave që vijnë nga Qeveria e Kosvovës. Fatkeqësisht, Bashkësia Ndërkombëtare është në anën e Kosovës”, deklaroi Bogdanovic. a.q/NOA

KOMENTE