English

OKB: Palët të përmbahen në Veri të Kosovës

Nju Jork, 16 shtator, NOA - Këshilli i Sigurimit nuk miratoi propozimin e Rusisë për të nxjerrë një deklaratë me të cilën do t’i kërkohej shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës të shmangin dhunën dhe të zgjidhin mospajtimet përmes dialogut. Takimi urgjent, që u mbajt pas mesnatës (sipas kohës në Evropë), erdhi pas kërkesës së Rusisë dhe të Serbisë për të “shqyrtuar situatën në Kosovë për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të tensioneve”, ndërsa pasoi paralajmërimet e Prishtinës zyrtare që më 16 shtator të zbatojë në tërësi planin për operacionalizimin e plotë të pikave kufitare në veri të Mitrovicës. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte e mbyllur për media, mirëpo para nisjes së takimit sekretari gjeneral i OKB-së, Ban Ki Mun, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në veri. “U bëjë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat do të mund t’i përshkallëzonin tensionet në atë zonë. U kërkoj autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që ta vazhdojnë suksesin e deritashëm të tyre dhe që të ndërmarrin hapa praktik drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani. U kërkoj gjithashtu që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të parandaluar konfrontimet dhe dhunën në veri të Kosovës”, tha Ban. NOA/RFE

KOMENTE