English

Berisha, vizitë në SHBA, takime në OKB dhe Wall Street

Tiranë, 18 shtator, NOA – Kryeministri Sali Berisha do të jetë i pranishëm ne pritjen e shtruar nga Presidenti i SHBA-ve Barak Obama pwr nder të delegacioneve të pranishëm në samitin e OKB. Zyra e Shtypit e Kryeministrisë njofton se Kryeministri Berisha u nis sot për në New York, për të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku do të mbajë një fjalim në seancë plenare. Mwsohet se gjatë vizitës disa ditore në New York, Kryeministri Berisha do të ketë takime me homologë të tij, personalitete botërore, të pranishëm në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim me Nënsekretarin e Shtetit për çështjet politike zotin William Burns. Një takim të veçantë, Kryeministri Berisha do të ketë edhe me delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Presidentja Atifete Jahjaga. Gjithashtu, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja zonja Liri Berisha, do jetë i pranishëm në pritjen që do të japë Presidenti Obama për nder të delegacioneve pjesëmarrëse në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Zyra e Shtypit njofton se një dimension i rëndësishëm i vizitës dhe axhendës së Kryeministrit në New York do të jetë edhe ai ekonomik. Kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e Forumit të parë të Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit dhe sipërmarrjes amerikane. Kryeministri Berisha do të bëjë një paraqitje të zhvillimit ekonomik të vendit, të reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, në funksion të krijimit të një mjedisi gjithnjë e më tërheqës e të favorshëm për investimet e huaja dhe të potencialeve që Shqipëria ofron në të gjitha fushat, duke i ftuar sipërmarrësit amerikanë të investojnë në Shqipëri, ku do të gjejnë një mjedis miqësor dhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare. Gjatë qëndrimit në New York kryeministri Berisha do të vizitojë bursën e New York, NASDAQ, ku do të bëjë mbylljen e një prej sesioneve ditore të bursës, në Wall Street. Kjo ceremoni do të shoqërohet edhe me transmetimin përreth një orë në ekranin që ndodhet në sheshin e Times Square në New York të një videoje promovuese me imazhe nga Shqipëria. Kryeministri Berisha do të marrë pjesë edhe në takime e forume të ndryshme, si në lancimin e Partnershipit për Qeveri të Hapur të organizuar nga Presidenti Obama, Samitin e Liderëve të Ballkanit, në hapjen e punimeve të Forumit Klinton, në forumin e OKB me sektorin privat, me përfaqësues të diasporës etj. Foto:Takimi Berisha-Obama në sesionin e 64-të Asamblesë së OKB a.k/NOA

KOMENTE