English

PDIU: Vendosja e sovranitetit të Kosovës edhe në veri proces i pakthyeshëm

Tiranë, 19 shtator 2011, NOA – Pas tensioneve në veri të Kosovës, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e njohur si partia që mbron interesat çame në tokat autoktone ripërsëriti mbështetjen e saj për vendosjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës, në atë pjesë të kufirit të vendit. PDIU e konsideron si arritje të jashtëzakonshme vendosjen e policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare në veri për dy arsye të rëndësishme. “E para se ky veprim është bërë në koordinim me praninë e bashkësisë perëndimore, të vendosur në Kosovë, KFOR dhe EULEX. Bashkëveprimi në çdo hap me praninë ndërkombëtare e përforcon aleancën e popullit të Kosovës me Perëndimin, diçka që është element thelbësor për zhvillimin e Kosovës dhe pranimin e saj përfundimtar në bashkësinë e shteteve”, deklaron PDIU. Kjo parti i kërkon miqve ndërkombëtarë që ende nuk kanë njohur Kosovën e pavarur që të mbajnë parasysh këtë të vërtetë të madhe, se çdo hap që ndërmerret në bashkëveprim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, duhet të mbështetet dhe jo të kontestohet. Sipas PDIU-së e kundërta ndodh me Serbinë, e cila po i kundërvihet këtyre veprimeve të Kosovës, duke tentuar të destabilizojë veriun e Kosovës, dhe po përplaset sërish me Perëndimin. “Serbia duhet të zgjedhë midis anëtarësimit në BE dhe nxitjes së trazirave të armatosura kundër pranisë ndërkombëtare dhe shtetit të Kosovës”, thotë PDIU. Ndërsa arsyeja e dytë, pse zhvillimet në Veri janë mjaft të rëndësishme për shtetin e Kosovës, është se me këto zhvillime nis në mënyrë të pakthyeshme procesi i vendosjes së sovranitetit në gjithë territorin. “Ky do të jetë një proces i gjatë, por i pakthyeshëm. Prej perimetrit të territorit të Kosovës në gjithë Veriun, shteti i Kosovës do të rrezatojë autoritetin e vet në mënyrë graduale dhe paqësore. Ky proces i parë kështu, do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të faktorit shqiptar në Ballkan”, përfundon deklarata e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. mit/NOA

KOMENTE