English

“Ndarja” e sovranitetit

Serbia zyrtare pafytyrësisht u jep përkrahje qëndrimeve raciste në Veri të Kosovës, ndërkohë që vetë nuk tregon asnjë gatishmëri që të drejta të njëjta etnike t’ua ofrojë pakicave kompakte që jetojnë në Serbi Nga Shkëlzen Maliqi Tani që sërish kemi tensione në veri në Kosovës, një dëshirë e vjetër e Serbisë po vjen në petkun e idesë për “ndarjen e sovranitetit”. Po propozohet që veriu formalisht të mbetet pjesë e Kosovës, por me një “autonomi substanciale” dhe marrëdhënie të afërta me Serbinë. Edhe për dy pikat doganore thuhet se mund të shënojnë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, por ama të ardhurat nga dogana i duan që të mbesin në veri, në konton e serbëve. Asgjë serioze. Bllokohen rrugët për të hapur rrugën e ndarjes së Kosovës.

Por, kjo me sovranitetin e ndarë nuk shkon assesi. Thjesht sovraniteti nuk ndahet. Edhe nëse do të tentohej diçka e tillë, s’mund të ketë sukses. Diplomatët kanë shpikur ndonjëherë sovranitet simbolik, si një godinë që është e bukur nga jashtë, por pas fasadës se saj qëndron humbja reale të sovranitetit. Në historinë e afërme të Ballkanit e kujtojmë një projekt ndërkombëtar që quhej Z-4, i cili serbëve të Kroacisë u ofronte një sovranitet të tillë fasadë: krahina serbe e vetëshpallur për republikë me këtë planë do të kishte administratën, flamurin, stemën, përfaqësi diplomatike në botë, bankën e vet etj., por brenda sovranitetit të pacenuar të Kroacisë. Serbët e patën refuzuar ofertën dhe u ndëshkuan, ushtria kroate ndërmori aksionin “Oluja” (Stuhia), që e asgjësojë “republikën” dhe për pasojë kishte edhe eksodin masiv të serbëve që assesi nuk donin të jetonin “nën sovranitetin kroat”. Refuzuan ofertën gjeneroze dhe i humbën të gjitha.

Këta zëra sot që flasin për ndarjen e sovranitetit në Veri, sikur provojnë që ta ringjallin idenë e skenarit të Z-4. Disa e quajnë projekt “Ahtisaari Plus”, që mbetet formulim i mjegullt. Tani serbët mbase kapen edhe për simbolikën e një autonomie substanciale, që në esencë edhe nuk është pak, por me paramendimin se kështu herdokurdo do ta arrijnë shkëputjen, dhe jo që të mbetet sovraniteti i pandashëm i Kosovës.

Me Ahtisaarin ata edhe i kanë këto, të drejtat dhe sigurinë reale, por ata duan më shumë. Beogradi zyrtar me këto ide mbase targeton një optimum të momentit. Duke kërkuar një plus ose “zgjidhje speciale”, duan që të instalohet të paktën një fasadë e “sovranitetit të ndarë” dhe të vazhdohet me ndikimin e Beogradit në veri.

Mirëpo, pasi që fuqitë perëndimor e thanë qartë se nuk ka ndarje të Kosovës, e tani edhe zyrtarët e BE-së siguruan se Kosova është një tërësi doganore që buron nga sovraniteti i pandashëm, nuk besoj se po mbetet vend për diplomacitë “pajtuese” që kërkojnë zgjidhjet në shikim të parë pragmatike, si “një të mirë të mundshme në situatën e krijuar”. Këta pragmatikët thonë se serbët në veri e kanë shumicën dërmuese, janë 95 % e popullsisë, andaj duhet t’i lihet kontrolli, një autonomi reale, dhe që duhet të pasqyrohen edhe me një sovranitet simbolik.

Ky model është thjesht kashta e fundit për të cilën kapet Beogradi. Kinse afirmon një politikë “realiste”, “pajtueshmëri”, gatishmëri për “kompromis” etj. Por, në të vërtetë është qasje mashtruese, problemi shtrohet ngushtë nga një këndvështrim serb që është ai i pikës së verbër e syrit, ku anashkalohet tërësia dhe ravijëzohet vetëm e vetëm interesi serb.

Sepse, kur pikënisja është tërësia, këto zgjidhje alkimike të sovranitetit të ndarë, nuk dalin aspak pragmatike e as të lehta. Përkundrazi.

Nëse politika e Serbisë dhe serbëve do të ishte parimore, - gjë që nuk ka qenë assesi në 25 vitet e fundit, e edhe shumë më gjatë, - ajo edhe do të mund të insistonte në një model parimor të të drejtave të veçanta etnike për pakicat kombëtare që jetojnë në mënyrë kompakte dhe të koncentruar në territoret e kombeve më të mëdha. Por që kjo të vlej për të gjithë, jo vetëm për serbët.

Qëndrimi i serbëve në veri, që janë pakicë e tillë kompakte, është se nuk duan të jetojnë në Kosovën demokratike dhe nën kornizat e të drejtave që ua ofron Plani i Ahtissarit dhe Kushtetuta e Kosovës. Diplomatët e huaj ndonjëherë trullosën nga aneksat dhe zhurma që prodhohet në veri dhe në Beograd, dhe nuk e shohin, ose bëhen ashtu, faktin se ky qëndrim i tyre është padyshim racist!

Pse serbët nuk po mund të jetuakan në shtetin ku shqiptarët janë shumicë?! A nuk buron ky qëndrim nga paragjykimi se shumica në Kosovë, shqiptarët, nuk mund të ndërtojnë shtet demokratik dhe nuk qenkan të aftë për bashkëjetës me të tjerët!? Serbia zyrtare pafytyrësisht ua jep përkrahje qëndrimeve raciste në Veri të Kosovës, ndërkohë që vetë nuk tregon asnjë gatishmëri që të drejta të njëjta etnike t’ua ofrojë pakicave kompakte që jetojnë në Serbi, konkretisht shqiptarëve në Luginën e Preshevës, myslimanëve në Sanxhak dhe hungarezëve në veri të Banatit?!

Beogradi zyrtar dhe opozita radikale nacionaliste në Beograd i trimëron sot serbët në veri të Kosovës që të bllokojnë rrugët, i jep përkrahje refuzimit të tyre që integrohen në institucionet e Kosovës që janë dizajnuara edhe për ta. Beogradi me këtë sfidon edhe faktorin ndërkombëtar që po ndërmjetëson për tejkalimin e krizës. Por Tadiqi me bashkëpunëtorët nuk është aq i marrë sa Milosheviqi dikur, i cili vendosi që të konfrontohet me NATO-n.

Por, sa i përket “ndarjes së sovranitetit”, besoj se lidershipi i sotëm i Serbisë do ta ketë parasysh se edhe Milosheviqi ka qenë i vetëdijshëm që “ndarje të sovranitetit” nuk ka. Në rastin e katrahurës së serbëve në Kroaci, kur i përmblodhi “Stuhia”, ai i patë lënë në lloç serbët që refuzonin sovranitetin e Kroacisë. Kjo së shpejti do të ndodh edhe në Kosovë, Tadiqi dhe cilido që do ta zë vendin e tij, do t’i lë në lloç serbët radikalë që assesi nuk duan të jetojnë në Kosovën sovrane. Bllokimi i rrugëve për ta është vetëm humbje kohe. /Express/

KOMENTE