English

Malaj: Jepini fund zvarritjeve për zgjedhjen e kreut të FRESSH e Forumit të Gruas

Tiranë, 2 tetor 2011, NOA - Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj ka reaguar sot për zhvillimet e fundit në Forumin Rinor Eurosocialist. Në një komunikimin në faqen e tij zyrtare në internet, duke ju referuar shqetësimeve të mbështetësve për shkrirjen e strukturave të FRESSH-it në Tiranë, Malaj shprehet se prej 6 vitesh, Forumi Rinor dhe problematika e tij ka qenë pjesë e çështjeve të ngritura nga ai vetë në strukturat e partisë. “Për mosorganizmin për 5 vjet të Forumit Rinor dhe të Forumit të Gruas, kam folur shpesh në AK (Asamblenë Kombëtare) të PS-së dhe në publik. Shqetësimi më i madh qëndron në vlerat e organizimit të tyre, sidomos në raportin midis meritokracisë dhe klientelizmit”, shprehet deputeti i PS-së. Malaj thotë se pas gjashtë vitesh zvarritje, duhet që si FRESSH dhe Forumi i Gruas të kenë drejtuesit e tyre të zgjedhur. “Momenti i dytë ka të bëjë me maksimizimin e sinergjive pozitive të PS-së, i cili nuk arrihet pa dhënien fund të zvarritjeve 6-vjeçare për të vetzgjedhur forumet e tyre dhe drejtuesit e forumeve, si të rinjtë edhe gratë. Ky nuk është një debat midis individësh, ky meriton një debat sfidash dhe vlerash, me të cilat PS duhet të jetë parti e avantazheve fituese”, shprehet Malaj në bashkëbisedimin e tij me simpatizantët në faqen personale të internetit. a.k/NOA

KOMENTE