Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Konsumimi i privatizimit
English

Konsumimi i privatizimit

Nëse thua që themeli, kulmi dhe motori i ekonomisë së Kosovës duhet të jetë veçse investimi privatizues nga jashtë, pra ashtu siç thotë rregullisht Qeveria e Kosovës, atëherë praktikisht je duke bërë thirrje për t’u kolonizuar. Po u thua korporatave pa përzgjedhur midis tyre që s’kanë nevojë të brengosen për të drejtat e punëtorëve, mjedisin a ritmin e shfrytëzimit të resurseve, sepse je i gatshëm që të varesh prej ndjekjes që ato do t’ia bëjnë profitit vetjak

Nga Albin Kurti

Me politikat aktuale qeveritare Kosova do të përdoret për lëndë të parë dhe si vend transit ndërkaq populli i Kosovës si konsumator. Punësim eventualisht do të ketë në ndërtim të infrastrukturës dhe në nxjerrjen e lëndëve të para. Po them eventualisht, meqë të papunët tonë janë përgjithësisht të pakualifikuar dhe ende jo shumë të lirë ashtu siç do të dëshironin korporatat e huaja. Neokolonializmi nuk ka brirë. Apo, ndoshta, tashmë po i shohim edhe brirët e tij.

Në njërën anë, minierat e Trepçës dhe thëngjilli, kurse në anën tjetër, asfalti i Bechtel-Enka-s. Ky pra është vizioni ekonomik i Qeverisë së Kosovës. Minierat dhe qymyri të shiten përmes privatizimit të egër ndërsa asfalti i nxehtë të shtrohet përmes buxhetit të Kosovës me çmim të dyfishuar.

Qeveria e Kosovës nuk e do qytetarin e Kosovës as si punëtor e as si pronar, por si konsumator. Papunësia po rritet nga viti në vit: mbi 30. 000 të rinj për çdo vit hyjnë në tregun e punës ku nuk ka punë. Njëkohësisht, nuk pamë as përpjekjen më të vogël qeveritare për ta nxitur e organizuar bërjen e qytetarëve aksionarë të pasurisë dhe zhvillimit të Kosovës.

Kur të inkurajojnë vetëm për të qenë konsumator pa mundësinë që të jeshë punëtor a pronar, shpejt s’ia del dot as si konsumator. Bie fuqia blerëse e njerëzve dhe inflacioni nuk ndalet – një mall që para katër vjetëve në Kosovë blihej me dy euro sot s’blihet dot as me tri.

Shtetet e zhvilluara, edhe atëherë kur e kanë bërë privatizimin, i kanë pasur parasysh interesat strategjike politike për vendin, numrin e punëtorëve, të drejtat e punëtorëve, rritjen ekonomike, ndikimet ambientale dhe nuk kanë vepruar me nxitim. Mbi të gjitha, privatizimi ka qenë përbrenda një programi zhvillimor që faktorin vendës e konsideron vendimtar.

Pse, çka, kur dhe si do të bëhet privatizimi në ndonjë ndërmarrje, te shtetet e zhvilluara e demokratike ka shkaktuar debate të gjera e të gjata, publike e parlamentare. Vetëm në fund janë marrë vendimet dhe vetëm atëherë kur është dëshmuar racionalisht përfitimi që do të arrihet.

Ajo që e kemi trashëguar duhet trashëguar më tutje. Sjelljet e papërgjegjshme me pasurinë e përbashkët i kushtojnë jo vetëm brezit tonë por edhe gjeneratave të ardhshme. Shtetet që nuk kanë qenë të kujdesshme me privatizimin e kanë paguar shumë shtrenjtë çmimin: prej papunësisë së shtuar e tjetërsimit të pasurive kombëtare deri te katastrofat ekologjike.

Shitja e asaj që nuk është jotja është vjedhje dhe vjedhja është krim. Privatizimi i pasluftës në Kosovë është pikërisht këso lloj shitje. Mjetet nga privatizimi mbeten të bllokuara jashtë vendit përveç ryshfetit që përfundoi në xhepat e ministrave dhe kryeministrave. Sa më lirë që u shitën ndërmarrjet aq më i madh ishte ryshfeti për to.

Janë politikanët e privatizimit ata që më së shumti na kanë folur për shenjtërinë e pronës private dhe më së shpeshti mu atëherë kur jeta e shumë njerëzve diku nuk është konsideruar aspak e shenjtë. Pas çdo shenjtërimi të pronës private fshihen jetërat e çshenjtëruara të njerëzve.

Për çdo ditë po dëshmohet që privatizimi nuk është kurrfarë e vërtete e ekonomisë. Gjithçka duhet t’i nënshtrohet studimit e analizës deri në rishqyrtim të gjithçkafit.

Konsiderimi i privatizimit si një vlerë e padiskutueshme dhe pikënisje për zhvillim më shumë ka sjellë zhgënjime, dëshprime, humbje dhe vuajtje për njerëzit anembanë globit dhe jo vetëm te ne, sesa përfitime e suksese. Ose, për të qenë më të saktë, shumicës dërrmuese i ka sjellë dëme kurse vetëm pakicës levërdi.

Nga një pikëvështrim më i largët në të ardhmen, kur të shikohet e sotmja jonë, do të duket që politikanët të cilët u instaluan në qeveritë e pasluftës dhe mburren se e kanë çliruar Kosovën ndoshta e paskan bërë këtë për ta shitur Kosovën.

Shumëçka njëmend moti ka filluar por asgjë ende s’ka përfunduar. Nëse Kosova nga një shtet i dobët siç është do të arrijë t’i hyjë shtegut të zhvillimit dhe mirëqenies, apo do të bëhet një shtet i dështuar, varet nga ajo se çka do të ngjajë me PTK-në, KEK-un e Trepçën. Fati i shtetit të Kosovës varet aq shumë nga fati i telekomunikacionit, energjisë dhe minierave të Kosovës. * Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE