English

Pazari për paqe

Me fokusimin e Amerikës në luftën e Afganistanit, si dhe në krizat e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut, është e kuptueshme që lufta e 15 vjetëve më parë në Ballkan të jetë zhdukur nga ekranet ndërkombëtare. Por, megjithatë, prushi i këtij konflikti kërcënon të shkaktojë një tjetër zjarr të madh, ndërsa është e rëndësishme që liderët dhe politikë-bërësit e Perëndimit të punojnë shpejt, për të rivendosur dhe forcuar paqen e arritur me vështirësi Nga Dana Rohrabacher Serbia vazhdon ende të refuzojë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe të mbështesë serbët që përbëjnë popullatën shumicë në veri të Kosovës. Gjatë muajve të fundit, serbët e mbështetur nga Beogradi janë bërë agresivë dhe të dhunshëm kundër Qeverisë kosovare, të cilën kundërshtojnë ta njohin. Paqja dhe stabiliteti, të negociuar ndërmjet fraksioneve luftuese të rajonit në fund të viteve ’90, rrezikohen të copëtohen plotësisht.

Më 27 shtator, situata është bërë edhe më urgjente, kur bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të sponsorizuara nga Bashkimi Evropian, janë ndërprerë. Një gjë e tillë pasoi plagosjen e katër ushtarëve të NATO-s dhe 16 civilëve serbë në betejën për barrikadat e paligjshme, të krijuara nga ekstremistët serbë në veri të Kosovës.

Barrikadat janë pjesë e fushatës së Serbisë për të vazhduar embargon për produktet kosovare, që kishte vendosur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Këta shenja paralajmërues nuk duhet të injorohen, aq më tepër kur ata kërcënojnë të shkatërrojnë strategjinë diplomatike, të dizajnuar për zgjidhjen e konfliktit. Në kundërshtim me planet e paqes të viteve 1990, Beogradi ka përsëritur shpesh synimin e tij për të shndërruar ndarjen ‘de facto’ të veriut të Kosovës në një realitet të përhershëm ‘de jure’. Kjo ka nxitur grupet e dhunshme, që aktualisht veprojnë në veri të Kosovës.

Një pjesë e problemit është se marrëveshjet e paqes, të viteve 1990, nuk kanë qenë gjithëpërfshirëse, duke lënë çështje të rëndësishme të pazgjidhura. Për të parandaluar këto çështje që të çojnë në shpërthimin e një epoke të re të gjakderdhjes në Ballkan, duhet të ndodhë një iniciativë e re për paqe, e cila adreson shkaqet rrënjësore të konfliktit.

Hapi i parë duhet të ndërmerret nga komuniteti ndërkombëtar, i cili, përderisa ka ndihmuar kosovarët të rindërtojnë vendin e tyre, të rigjallërojnë ekonominë, të krijojnë institucione demokratike dhe të shërojnë plagët e luftës që nga viti 1999, duhet të pranojë se forcimi i ndarjes joformale të veriut të Kosovës mund t’i zhbëjë të gjitha ato që kanë arritur deri më tani.

Hapi tjetër do të ishte një strategji e re, e cila njeh të drejtën e serbëve të Kosovës për vetëvendosje, duke respektuar sovranitetin e Kosovës.

“Gjatë gjithë karrierës sime në Kongresin Amerikan, unë kam argumentuar se nëse kosovarët duan të jenë të pavarur nga Serbia, ata duhet të jenë. Në të njëjtën kohë, nëse shumica e popullsisë në veri të Kosovës do të donte më tepër të ishte pjesë e Serbisë, ajo duhet të jetë”.

Një opsion që do të ishte në përputhje me të drejtën për vetëvendosje dhe që do ta forconte stabilitetin afatgjatë, do të ishte transferimi i pjesëve përafërsisht të barabarta të territorit dhe të popullsisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

veri, serbët mund të zgjedhin përmes votës nëse duan të transferohen nën sovranitetin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, shumica kosovare në jug të Serbisë mund të bëhet pjesë e Kosovës, nëse ajo dëshiron. Kjo do t’iu ofronte të gjitha palëve mundësinë për një shkëmbim të barabartë – të bazuar në drejtësi dhe vetëvendosje.

Ka pasur shumë nervozizëm në Shtetet e Bashkuara dhe kryeqytetet evropiane në lidhje me realizimin e shkëmbimeve të territorit. Kritikët thonë se shkëmbimet e tilla do të vënë në lëvizje konfliktet e fjetura, duke bërë që çdo popullatë minoritare të ndjejë të drejtën për pavarësi, pavarësisht nga rrethanat. Kjo pikëpamje, megjithatë, është pa të drejtë pesimiste.

Më ka rastisur të pajtohem me politikanin austriak Erhard Busek – ish-kryetar i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, i cili u ka thënë mediave serbe, muajin e kaluar, se “Brukseli dhe Uashingtoni thonë se kufijtë nuk mund të ndryshohen, por nëse Prishtina dhe Beogradi pajtohen mes vete, atëherë evropianët dhe amerikanët po ashtu duhet të pajtohen”.

Me këtë shkëmbim të tokës, bazuar në të drejtën e dy grupeve për të vetëvendosur, Beogradi, Prishtina dhe partnerët e tyre perëndimorë mund të përmirësojnë status quo-në. * Dejna Rohrabaher, kongresist republikan dhe anëtar i Komitetit të dhomës së përfaqësuesve për marrëdhënie me jashtë. Shkrimi u publikua nga “The Wall Street Journal"

KOMENTE