English

Gripi, nis vaksinimi i popullatës

Tiranë, 12 nëntor 2011, NOA - Ministria e Shëndetësisë ka nisur sot fushatën e vaksinimit kundër gripit sezonal. Në një konferencë për mediat, drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero theksoi se, edhe pse situata epidemiologjike është e qetë, vaksinimi është mënyra më e mirë të për të parandaluar gripin sezonal “Eksperienca na ka treguar që kjo është periudha më e mirë për të nisur vaksinimin. Fushatat nisin në fund të vjeshtës, por për shkak të ndryshimeve klimaterike kemi hyrë në sezonin e gripit sezonal, pasi që nga momenti që aplikohet vaksina duhet së paktën dy javë që trupi të fitojë imunitet”, theksoi Pipero. Sipas tij, kategoritë që rrezikohen më shumë nga gripi janë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Gjithashtu, Pipero garantoi qytetarët se vaksina kundër gripit është e sigurtë dhe nuk ka efekte anësore.

“Vaksina përmban viruse qarkulluese, A dhe B dhe është shumë e sigurtë. Një sasi e konsiderueshme është edhe në vendin tonë. I bëj thirrje qytetarëve të vaksinohen duke pasur parasysh grupet për të cilët vaksinimi është i domosodoshëm”, ka shtuar më tej Pipero.

Autoritet shëndetësore konfirmojnë se, që nga dita e hënë do të nisë vaksinimi edhe për bluzat e bardha.

a.q/NOA

KOMENTE