English

Engel: Serbia jo para Kosovës në BE

Prishtinë, 13 nëntor 2011, NOA – Kongresisti amerikan Eliot Engel, një nga mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes së Kosovës deklaroi se Serbia nuk duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian para Kosovës.

Kjo për shkak se Serbia do të bllokonte Kosovën të anëtarësohej në Unionin Evropian sikundër po vepron në OKB.

Në këtë pikëvështrim kongresisti Engel solli në referencë mungesën e unitetit në BE, ku shteti i ri i Kosovës dhe pavarësia e tij nuk është njohur ende nga pesë vende anëtare brenda BE-së.

Kongresisti amerikan duke folur për radion Evropa e Lirë, deklaroi se “Nuk dua që Serbia të bëhet anëtare e BE-së dhe kur Kosova të dëshirojë hyrjen në union, Serbia ta bllokojë. Do të isha që Serbia të jetë pjesë e BE-së, por atëherë kur në të njëjtën kohë do t’i lejohej edhe Kosovës që t’i bashkohej BE-së. Nuk mendoj se Serbia duhet të bëhet anëtare e BE-së para Kosovës, sepse do të bëjë atë, që po e bën në OKB - do ta bllokojë Kosovën”.

Duke folur për tensionet në veri të Kosovës, Engel u bëri thirrje ndërkombëtarëve të zgjidhin sa më shpejt problemin e veriut, për të shmangur siç vlerësoi ai më të keqen, që është ndarja e Kosovës.

“Mendoj se situata në veri duhet të adresohet shpejt. Sa më gjatë nuk merremi me problemin, aq më keq do të bëhet në të ardhmen. Është një problem që duhet zgjidhur, sepse po qe se nuk zgjidhet, do të kemi ndarjen de facto të Kosovës. Nëse Qeveria në Prishtinë nuk mund të ushtrojë të drejtën për të kontrolluar mbi një pjesë të Kosovës, atëherë kemi telashe. Nëse kemi institucionet paralele, që e sfidojnë sundimin e ligjit, atëherë kemi telashe”, tha kongresisti Engel për REL.

Engel mbajti një ligjëratë para studentëve në Kosovë duke u thënë se nuk duhen toleruar më, bandat ekstremiste serbe që mësyjnë Mitrovicën nga Serbia.

Në këtë suazë, kongresisti amerikan apeloi se për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, ka ardhur koha që demokracia e mbikëqyrur të marrë fund.

“Mendoj se është koha që demokracia e mbikëqyrur, pavarësia e mbikëqyrur të përfundojë. Mbikëqyrja duhet të përfundojë. Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë. Nuk mendoj se një shtet i lirë dhe i pavarur duhet të tolerojë një situatë kur një pjesë e vendit është e okupuar”, nënvizoi Engel.

Sipas tij zgjidhja e kësaj çështjeje nuk duhet neglizhuar aspak dhe nuk duhet shtyrë për më vonë, por duhet zgjidhur që tani.

“Ajo që po ndodh me Evropën është se ata po mundohen të gjejnë rrugën më të lehtë. Ata nuk duan të përkushtohen për këto gjëra. Dhe, që nga pavarësia, pothuaj katër vjet, ata kanë rënë në një gjendje ku është më lehtë që të mos konfrontohen me serbët, ku është më lehtë që të mos konfrontohet gjendja e paligjshme, është më lehtë që të ketë një lloj status quo-je dhe një lloj shprese që gjërat të qetësohen vetë. Unë mendoj se duhet bërë e kundërta. Kjo gjendje duhet të ndryshojë”, u shpreh Engel, për REL.

Kongresistët amerikanë Eliot Engel dhe Gary Peters premtuan se do të jenë zëri i Kosovës në Kongresin amerikan, duke garantuar se mbështetja e SHBA-ve do të vijojë të jetë e fuqishme për Kosovën.

REL/mit/NOA

KOMENTE