Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Familja e përkryer
English

Familja e përkryer

Nga Glauk Konjufca

Sikur të mos ekzistonte kufizimi kohor, atëherë me siguri që do të flisja edhe për shumë gra të tjera të shkëlqyeshme përpara UÇK-së. Do të flisja për Tringë Smajlin, shpirtin binjak të Hasan Prishtinës, e cila luftoi për atdhe dhe e shkriu të gjithë pasurinë e saj për hapjen e shkollave shqipe. Apo për Marie Shllaku, versionin e mëhershëm të Afrim Zhitisë, e cila në moshën 23 vjeçare i la studimet e saj të filozofisë në Romë për t’iu bashkuar luftës për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia. Shembujt janë të panumërt, por, le të dalim aty siç ku e kërkon tema.

Sa herë që përbrenda një fjalie të vetme përfshihet koncepti “grua” dhe “luftë”, qoftë kjo edhe përbrenda një titulli të një konference si kjo, të duket sikur diçka nuk po shkon. A nuk qëndron koncepti i projektuar maskulinist i gruas si të tillë saktësisht përkundër luftës si punë tradicionalisht mashkullore. Arma, dhuna, agresiviteti, trimëria, burrëria – janë ato që përshkojnë luftërat dhe si të tilla janë në kundërpozicion të plotë me konceptin superstrukturor tradicionalisht të konstruktuar të gruas që ngërthen butësinë, ndjeshmërinë, harmoninë etj. Përbrenda këtij kuadri konceptual fshihet vetë problemi. Vetë fakti që ushtria shihet si kategori mashkullore tregon për një strukturim të thellë shovinist të punëve të kësaj botë varësisht projektimit të natyrës së njerëzve të cilët mbi këtë premisë po u ndakan në dy specie- në meshkuj dhe në femra. Nga meshkujt pritet ngadhënjimi, sundimi, forca, urdhri, lufta, dhuna. Kurse nga femrat pritet dëgjueshmëria, nënshtrimi, emocionaliteti, dhembshuria etj. Friedrich Nietzsches ia shohin për të madhe që tha: “Gruaja është pushimi i luftëtarit…”.

Nga ky kuptim, fusha në të cilën femra e shpërthen dhe e bën copë e thërrime një kornizë të tillë të strukturimit shtypës të marrëdhënieve ndërnjerëzore është pikërisht lufta. E sidomos lufta çlirimtare.

Mirëpo, unë nuk mund të flas për gruan si specie e veçantë. Më duket e turpshme. Gruaja dhe politika, roli i gruas në luftë, të drejtat e femrave, dhuna ndaj gruas, forumi i gruas, gruaja parlamentare, gruaja dje, sot dhe nesër… këto tema më ngjallin një mos rehati. A nuk është një ligjërim i tillë vetë problemi?

Unë do të flas për gruan e shkrirë në burrë dhe për burrin e shkrirë në grua. E kjo është dashuria. Por, jo për dashurinë partikulare adoleshente, as për dashurinë universale natyraliste. As për atë platonike. Unë do të flas për dashurinë absolute. Dhe këtë dashuri e kam gjetur mes dy njerëzve. Ky është çiftit dëshmor – Xhevë dhe Fehmi Lladrovci.

Pse thashë dashuri absolute? Sepse partikulariteti i tyre emocional nuk është aspak qëllim në vetvete, por prodhohet nga Ideja absolute. Ata janë të njëri-tjetrit për aq sa janë të dikujt tjetër: për aq sa janë të Atdheut. Ata u bashkuan për shkak të Atdheut, vuajtën të ndarë për shkak të Atdheut, e mbajtën njëri-tjetrit për Atdheun, luftuan për Atdheun, ranë të dy për Atdheun dhe u përjetësuan prej Atdheut. Ata e duan njëri-tjetrin sepse nuk janë njëri-tjetri. Ata janë njëri. Ata janë një. Këtë unë e quaj çift të përkryer çlirimtar. Ata janë të ndërmjetësuar nga Ideja e pastër. Kjo është një marrëdhënie kantiane e dashurisë sublime.

Kurse dashuria evolucionare singulare i përthith tërësisht njerëzit. Para disa ditësh isha duke u kthyer nga një tubim në një qytet të Kosovës. Sapo kishte rënë muzgu dhe diku në periferi i pashë dy të rinj. Ata po ecnin së bashku dhe aq afër sapo i preknin supet. Asaj i ishin skuqur faqet kurse atij veshët. Nuk po e vërenin askënd. Ishin përpirë nga bota e tyre e pakufijshme e banuar vetëm nga dy qenie. Thashë me vete – a thua çka mendojnë ata për veriun? Dashuria singulare është animalizëm i sublimuar.

Përbrenda dashurisë absolute nuk ka role, nuk ka funksione, nuk ka sjellje, nuk ka gjeste, nuk ka pritje.

Ajo ia ka hedhur njërën dorë përreth qafe, kurse ai po e përzien kafen. Të dy janë ulur. Ajo po e shikon drejt e në sy, kurse ai e ka lëshuar shikimin përdhe. Ajo është paksa e buzëqeshur, kurse ai si i menduar.

Kjo është fotografia më emblematike e një çifti bashkëshortor.

Ndonëse ai me pamje tradicionale, mustaqe të gjata, truphedhur dhe hijerëndë, kurse ajo e butë, e hareshme dhe e zakonshme, sjellja e tyre sikur e përmbys traditën e gënjeshtërt dhe i hap rrugë absolutizmit të çlirët.

Rolet dhe performanca tradicionale është e turpshme. Një muaj pasi Xheva fejohet Fehmiu bien në burg dhe dënohet 10 vjet. Sa të sikletshme janë rolet e mirësjelljes evolucionare. Fehmiu i thotë asaj se mund ta linte atë dhe ta gjente një tjetër. Nuk mendoj se ka pasur diçka më të sikletshme për të dy, në këtë lojë mizore rolesh të obligimit të trupave. Do të duhej t’iu ishte shembur shpirti. Jo nga dyshimi, por nga turpi dhe poshtërsia e performancës. Hegeli thoshte – Die Liebenden haben keinen Leib.

Ata e kishin dashurinë e kushtëzuar. Dhe këtu Absoluti merr kuptim të vërtetë. Dashuria absolute nuk është ajo e pakushtëzuara. Dashuria e pakushtëzuar është singularitet shpirtëror emocional. Duhet pikërisht ai/ajo sepse është ai/ajo. Objektivisht mund të mos jetë ai/ajo që mendojmë se është, por pikërisht për këtë gjë e duam. Objektiviteti e shkatërron dashurinë singulare. Por dashuria Absolute për të cilën po flasim është e kushtëzuar. Absoluti është “për sa kohë që…” apo vetëm “nëpërmjet”. Ata nuk do të mund të kishin qenë bashkë, po të mos kishin qenë të njëjtë, por nuk do të mund të kishin qenë të njëjtë, po të mos e donin njëri-tjetrin sepse më shumë e donin Atdheun. Por kjo “më shumë” nuk ka kuptim për shpirtrat binjakë. Dashuria singulare është rrezatim. Dashuria absolute është manifestim, përshkallëzim.

Kjo mund të shihet nga ajo që Xheva i shkroi Fehmiut kur mori vesh se si ai qëndroi gjatë gjyqit kur u dënua me burg: “Tash që pashë qëndrimin tënd dhe dëgjova për dënimin që të dhanë, tash të dua edhe më shumë, sepse e di se je i gatshëm të bësh gjithçka për Kosovën”. Ai nuk ia vuri në pikëpyetje asaj dashurinë. Ai qëndroi. Trupat u larguan. Shpirtrat ngadhënjyen. Sërish, dashuria matet nëpërmjet një elementi të tretë – Idesë absolute.

Xheva e di se fuqia magjike e prodhimit të Historisë është shpirti i lirë. Në një letër që ia dërgon Fehmiut në burg, i shkruan: “Njeriu kënaqet më shumë se me çdo gjë tjetër kur sheh se jetën ia ka kushtuar një qëllimi. Dhe sa më i madh të jetë ky qëllim, aq më i bukur do të duket, sado i vështirë të jetë të arrihet. Njeriu mund të humbë çdo liri, por nëse e ruan lirinë e mendimit, prapë i lirë është”. Këtu nuk duhet të lajthitemi. Dihet që Hegeli te Fenomenologjia kritikonte rrëptë vetëdijen stoike, lirinë e Epiktetit, i cili kishte iluzione se ishte i lirë me shpirt ndërkohë që gjendej nën pranga. Xheva e ka fjalën pikërisht për të kundërtën e kësaj. Kjo nuk është liria e Epiktetit. Epikteti mendonte se ishte i lirë sepse e relativizonte dallimin e lirisë nga robëria. Për të veprimi s’ia vlente për sa kohë liria fizikë është iluzive. Koncepti i lirisë që e gjejmë në letrën e Xhevës, ka të bëjë me shpirtin e lirë i cili nuk mposhtet as në kushtet e shtrëngimit fizik, dhe i cili e di se herëdokur për shkak të vendosmërisë së vullnetit do të shndërrohet në fuqi fizike për copëtimin e vargonjve. Këtu shpirti është i lirë sepse është i vetëdijshëm që paraqet locus-in e vullnetit dhe shndërrimin e shpirtit në materie vepruese për ndryshimin e gjendjes ekzistuese dhe përmbysjen e padrejtësisë.

Jemi më 28 Nëntor. Më 28 Nëntor të vitit 1988 Xheva ia dërgoi një letër Fehmiut në burg. Aty ia tregoi kuptimin e dashurisë së tyre. Aty i shkruan: “edhe jetën edhe vdekjen i kemi bashkë”. Kjo do të thotë: jetojmë për një qëllim, dhe do të vdesim për po të njëjtin. Ky mendim u realizua dhjetë vjet pas, më 22 shtator të vitit 1998. Menjëherë pas fillimit të luftës në Kosovë Xheva e Fehmiu iu bashkuan asaj. Pas rënies së Fehmiut në frontin e luftës çlirimtare, vetëm disa orë pas ra edhe Xheva. Ajo ishte komandante e brigadës 114, me titullin ushtarak Gjeneral-Major, titulli më i lartë ushtarak që ka gëzuar ndonjëherë një grua shqiptare.

Liria është përkundër biologjikes dhe si e tillë vetëm përtej saj. Hegeli thotë Skllavi e fiton jetën biologjike prandaj e humb Lirinë e vërtetë. Fehmiu dhe Xheva ishin kryevepër e asaj që Kanti do ta quante dashuri të idealitetit, jo idealizmit. Dihet që Fehmiu dhe Xheva nuk patën fëmijë biologjikë. Por, ata, si gjithçka tjetër në këtë jetë, e zbuluan edhe fëmijën e tyre në luftë për liri. Ajo ishte dëshmorja e kombit, Fatime Hetemi, të cilën kudo e prezantonin si vajzën e tyre. Fëmija është shpirtëror. Dëshmorët nuk kanë trupa. Fatimja ra po ashtu. Ranë të tre. Një familje e përkryer kombëtare.

NOA

KOMENTE