English

UISH: Task-forcë për sjelljet etiko-profesionale të infermierëve

Tiranë, 16 dhjetor 2011, NOA- Në një aktivitet të organizuar nga Urdhri i Infermierit nën titullin “Sjelljet etiko-profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm profesional, sfida dhe arritje në kujdesin shëndetësor tek ne”, u konstatua se reforma në shëndetësi është kyçe për sistemit shëndetësor.

Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, kreu i Urdhrit të Infermierit Sabri Skënderi u shpreh se, “Reforma në shëndetësi është një reformë e gjatë dhe një proces ndryshimi në tërësinë e sistemit shëndetësor. E si e tillë ajo duhet të jetë e pafund sepse ajo që është e re dhe efektive sot, vjetrohet nesër dhe kërkon ndryshim, kërkon të ecet me hapin e kohës. Edhe kujdesjet infermierore, si pjesë e kësaj reforme, kërkohet që të ndryshojnë në të gjitha drejtimet. Kërkohet që të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe të punuarit nga gjithë secili që i përket këtij sektori”.

Skënderi theksoi se kërkohet që të ndryshohet si nevojë e kohës edhe mënyra e organizimit dhe menaxhimit të kujdesjeve infermierore, sjelljet etiko-profesionale si edhe cilësia dhe profesionalizmi i këtyre profesionistëve.

Sipas tij ndonëse janë 13 mijë dosje, me të gjitha të dhënat e profesionistëve të kujdesit shëndetësor, shqetësim mbeten sjelljet etiko-profesionale të profesionistëve të kujdesit, duke synuar rritjen e cilësisë së kujdesit infermieror.

Ai theksoi se nga testimet dalin në pah sjelljet e tilla që dallojnë që nga paraqitja e jashtme, mbajtja e uniformës së punës, nga lëvizjet me uniformë jashtë vendit të punës, nga komunikimi i cili është edhe më i rëndësishmi, apo braktisja e shërbimit me ditë të tëra dukuri kjo kryesisht për ambulancat e fshatrave.

Skënderi tha më tej se UISH, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë ka ngritur Task-forcë dhe nga një inspektim i tyre kanë dalë disa problematika, janë ngritur komisionet e gjykimit profesional dhe po punojmë për ta ndëshkuar çdo rast sipas ligjit.

Në këtë linjë ai shtoi se kudo ku ky shërbim nuk është në nivelin e duhur, kudo ku manifestohen sjellje etiko-profesionale në kundërshtim me Kodin Etik- Deontologjik, është përgjegjësi direkte e krye/infermierëve, sepse janë ata përgjegjësit e kujdesit infermieror, 24 orë më 24.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe edhe zv/ministri i Shëndetësisë Albert Gajo, drejtori i Politikave Shëndetësore pranë ministrisë së Shëndetësisë Pëllumb Pipero, drejtori i QSUT-së etj.

a.y/NOA

KOMENTE