English

Ndahet nga jeta Nina Mula

Tiranë, 22 dhjetor 2011, NOA – Sopranoja e njohur shqiptare Nina Mula është ndarë sot nga jeta. Ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Nina Mula ka lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në Rusi. Kur ishte 18 vjeç artistja ruse Irina Maslenikova e dëgjoi të interpretonte në skenën e teatrit dhe i propozoi të konkurronte në Konservatorin e Moskës. Ajo hezitoi duke qenë një vajzë pa prindër dhe nën mbikëqyrjen e vëllezërve të saj, por me insistimin e Maslenikovës, ajo konkurroi dhe fitoi konkursin. Këtë fitore, Nina Mula e ka konsideruar si fitoren e saj të parë që i hapi një dritare dhe që realizoi një ëndërr të pabesueshme.

Më pas kryen edhe një kualifikim pasuniversitar pranë Konservatorit të Moskës. Në vitet e studimeve, Nina njohu bashkëshortin e saj Avni Mulën.

Pas mbarimit të kursit, në vitin 1957, vjen në Shqipëri në ndjekje të dashurisë së saj, tenorit Avni Mula. Emërohet soliste pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976.

Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70.

Në vitin ’58, me partner bashkëshortin, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë. Nina Mula mbahen mënd për rolet e saj në operat “Evgeni Onjegini” , “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më pas, i trokiti fati të luante pikërisht ajo Mikaelën në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.

Në 80-vjetorin e saj të lindjes, një muaj më parë, sopranoja Mula pohon se i ka ngelur peng dhe do donte të interpretonte “Toskën”, “Trovatore” pse jo dhe “Luçia di Lamermmor”. Ajo ende edhe sot emocionohet kur kalonë pranë TKOB-së, salla e të cilit i ka falur shumë emocione dhe duartrokitje të publikut.

Ajo u largua nga skena në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që do të kishte dashur të qëndronte më gjatë për të realizuar të tjera role. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

a.k/NOA

Në foto e parë, Nina Mula në tetor 2011. Foto e II, Nina Mula dhe bashkëshorti i saj, Avni Mula.

KOMENTE