English

Berisha ngre dolli me ministrat: Kemi përpara një vit intensiv

Tiranë, 29 dhjetor 2011, NOA – Në pritjen koktej të fundvitit me ministrat e kabinetit qeveritar, Kryetari i Qeverisë Sali Berisha deklaroi se Shqipëria arriti të përballojë krizën e thellë me të cilën po përballet sot Europa dhe bota, një arritje që ai ia kushtoi reformave të ndërmarra në vend, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë pritjes, i shoqëruar nga zonja e tij Liri Berisha, kryeministri falenderoi bashkëpunëtorët e tij për mbështetjen dhe përkushtimin në realizimin e reformave të mëdha të këtij viti që po lëmë pas.

Duke i ftuar të vijojnë përkushtimin për të vënë në jetë aspiratën “Shqipëria, vend i zhvilluar”, shefi i qeverisë deklaroi përpara ministrave se “Reformat kanë bërë të mundur që ky vend i vogël, me një ekonomi jo të rëndësishme krahasuar me vendet e mëdha të zhvilluara, në një kohë të krizës më të thellë që Europa ka njohur, të performojë, të funksionojë normalisht, të mos njohë krizën dhe të realizojë me ambicie të gjitha objektivat e parashikuara në programin e saj, një vit më parë”, nënvizoi kryeministri, duke falenderuar edhe bashkëshortet e ministrave, pa mbështetjen e të cilave nuk do mund të ishin realizuar objektivat e vëna në jetë këtë vit.

“Ky ka qenë një vit shumë i rëndësishëm. Këtë vit, reformat strukturore, që duheshin ndërmarrë, ishin reformat më të rëndësishme në të gjitha fushat”, tha kryeministri.

Ai theksoi se zgjedhjet lokale dhe censusi përbënë fotografinë e vërtetë të realitetit shqiptar, ndërsa ky i fundit u bë treguesi më kryesor për vitin 2011.

“Edhe këtë vit, sërish, ambiciet e projektet tona ishin shumë të mëdha, por mendoj se dy procese të mëdha e të rëndësishme patën vend këtë vit: Zgjedhjet lokale jashtëzakonisht të rëndësishme, në të cilat mbizotëroi Kushtetuta, kushtetutshmëria dhe u numërua çdo votë e qytetarëve shqiptarë para kamerave dhe dritës së diellit dhe një proces tjetër, edhe ky jashtëzakonisht i rëndësishëm, ishte censusi që përbën fotografinë e vërtetë të realitetit shqiptar dhe tregues i tij më kryesor për vitin 2011”, tha zoti Berisha.

Kryeministri përmendi projektet e mëdha infrastrukturore të realizuara, që sipas tij do të shndërrojnë në realitet ëndrrën shekullore të qytetarëve shqiptarë, siç është autostrada Tiranë-Elbasan dhe qindra e mijëra kilometra rrugë të tjera në të katër anët e vendit.

Ai risolli në vëmendje edhe faktin se sot komunikimi i shqiptarëve ka njohur zhvillim të madh, duke e renditur Shqipërinë në telefoninë mobile në kuotat më të larta në Europë.

Sipas kreut të qeverisë ky vit mbyllet pa rritje të borxhit dhe me realizim të projekteve të parashikuara.

Në mbyllje të fjalës së tij, kryeministri theksoi se viti i ardhshëm është një vit intensiv, pasi ai përkon me vitin e 100 vjetorit të pavarësisë.

“Është viti, në të cilin ne duhet të bëjmë gjithçka që Shqipërinë 100 vjeçare ta nusërojmë e nderojmë sa më mirë”, tha kryeministri.

Ai i ftoi të gjithë ministrat të ngrenë një dolli për qytetarët shqiptarë, për një Vit të Ri me shumë suksese, me gëzime, lumturi e gjithë të mirat.

mit/NOA

KOMENTE