English

Kryeministri: Opozita e miliarderëve një opozitë me defekt

Tiranë, 4 korrik 2011, NOA – Opozita e miliarderëve është opozitë me defekt pasi komunikimi me realitetin është gjëja më e vështirë për të.

Këtë e deklaroi sot kryeministri Sali Berisha, i cili duke iu referuar deklaratave të opozitës tha se ajo nuk mund ta prekë e ta shohë realitetin, pasi nuk ndien dhimbje për qytetarët shqiptarë dhe rëndësinë që ka për ta rritja e pagave dhe pensioneve.

“Në kohën kur ishte opozita në pushtet borxhi i vendit ishte 72 përqind dhe sot është 59 përqind. Kur shkëputesh nga realiteti humbet arsyen, flet përçart dhe nuk ndien dhimbje për ata që përballen me rritjen e çmimeve në treg, për të rritjen e të ardhurave të tyre, se sa të rëndësishme janë ato për 800 mijë familje shqiptare”, tha kryeministri gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit kuvendor demokrat.

Ai deklaroi se mazhoranca shqiptare është mazhoranca e vetme në Europë, që në një hark kohor prej 6 vitesh ka rritur 115-120 përqind pensionet e ulëta, duke vendosur pensionin më të ulët në qytet mbi 100 dollarë.

Shefi i ekzekutivit theksoi se sot në Shqipëri nuk ka asnjë arsimtar që kërkon të largohet nga puna.

“Sot pensionistët shqiptarë konstatuan se kjo parti, mazhoranca në pushtet kanë ndjeshmëri të madhe ndaj derteve të përditshme të tyre, e jashtë çdo lloj politizimi sot kjo mazhorancë është e vetmja që ka rritur rrogat e pensionet”, tha kryeministri.

Zoti Berisha ripërsëriti se në këto katër vite u dyfishuan të ardhurat buxhetore duke tejkaluar parashikimet.

“Në gjashtë vite trefishohen eksportet e vendit, dhe jo prej ndonjë shpërthimi gazi dhe nafte, por prej reformave ekonomike, që bënë që të funksionojë ekonomia në vend. Ky trefishim i eksporteve përbën dëshminë më të fuqishme të suksesit të modelit tonë ekonomik”, vërejti kryeministri, duke argumentuar se “Kjo rritje e të ardhurave është shoqëruar me rënien drastike të taksave dhe është dëshmi e suksesit të modelit tonë ekonomik”, tha zoti Berisha.

Shefi i mazhorancës nënvizoi se vijon gjallimi i bizneseve në të katër anët e vendit, ndërkohë që në bazë të statistikave papunësia po bie, e sistemi bankar funksionon me një rritje dyshifrore të kursimeve dhe rritje të kreditit.

“Pra të gjitha këto janë dëshmi e një modeli që i rezistoi krizës më të egër. Atyre që thonë se ekonomia shqiptare nuk është aq e lidhur me ekonominë evropiane u them t’u referohen statistikave, se ekonomia jonë është më e hapura në ligjet, barrierat e çdo gjë tjetër, por është ekonomi kompetitive, duke e bërë vendin një nga vendet më tërheqëse. Është objektiv për ne zhdukja e barrierave duke krijuar klimë miqësore për biznesin, investimet e huaja”, tha kryeministri.

Ai u shpreh se 70-80 përqind të shkëmbimeve tregtare ekonomia shqiptare i kryen me vendet e BE-së.

“Falë këtij modeli ekonomik Shqipëria i përmbahet plotësisht objektivave të saj në rritjen e rrogave, pensioneve, projektet më ambicioze në historinë e vendit, infrastrukturë. Realiteti është ndër më pozitivët, pasi kjo performancë ka mundësuar Shqipërinë tjetër. Ne po ndryshojmë me shpejtësinë më të madhe Shqipërinë, një vend që trashëgonte vetëm 2400 km rrugë të asfaltuara”, tha shefi i mazhorancës.

Këtu ai ripërsëriti se përkundër këtij realiteti ishin edhe vajet e kolagjerëve të krizës.

Berisha e cilësoi përpjekjen e opozitës për të nxirë realitetin ekonomik shqiptar si një përpjekje tërësisht të pabazuar, e të bazuar në keqdashje.

“Përpjekje për të nxirë realitetin ekonomik në vend siç nuk është, dhe kjo deri ditët e fundit kur shpallën se Shqipërinë e pret kriza greke. Një keqdashje dhe zemërligësi e shkallës më të lartë, për të mos thënë një padije e plotë për ekonominë e financat tona.

Është për të ardhur keq, se këtë e bën opozita, e cila ka patur kuadro të vetët në pushtet” vijoi kryeministri Berisha.

Ai deklaroi se rishqyrtimi i buxhetit po bëhet, duke garantuar se nuk do të ketë asnjë tejkalim të borxhit dhe defiçitit buxhetor të miratuar në dhjetor të viti të shkuar, po ashtu edhe defiçit të inflacionit.

Kreu i qeverisë përsëriti para deputetëve demokratë se shkurtimi i shpenzimeve në administratë do të bëhet, në të mirë të rritjes së rrogave dhe pensioneve.

mit/NOA

KOMENTE
  • Alban Memushi14:59 - 04 Korrik 2011
    Ore po ky Berisha qenka trap fare , apo eshte trap populli qe rri e degjon genjeshtrat e nje pas njeshme te tij !?. Boll me keta injorant se sa me shume u shtohet injoranca ketyre aq me shume vjedhin.