English

Parashikimi i motit për 26 korrik 2011

Tiranë, 25 korrik 2011, NOA- Dita nesër do të nisë me vranësira dhe shira të dobët dhe të izoluar në jug dhe vijën bregdetare ndërsa pjesa tjetër e vendit do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Në mesditë do të ketë shtim të vranësirave duke bërë që i gjithë vendi të rrezikohet nga shira të dobët por nuk do të mungojnë dhe intervalet me kthjellime.

Sipas MeteoAlb, edhe pasdite pjesa më e madhe e vendit do të mbetet me vranësira dhe shira të karakterit lokal përjashtuar juglindjen dhe verilindjen të cilat do të mbeten me vranësira dhe kthjellime të herë pas hershme. Gjatë orëve të mbrëmjes dhe gjatë natës vranësirat dhe shirat do të largohen nga i gjithë vendi.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë 1- 2 gradë rënie në qendër dhe në veri të vendit ndërsa mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave në vend.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 25 km/h dhe drejtim Veriperëndimor ndërsa dallgëzimi në det do të jetë 2 ballë.

Europa

Nesër pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të mbetet me mot të paqëndrueshëm duke bërë që vranësirat dhe shirat të dominojnë gjatë gjithë ditës. Në kushtet e vranësirave dhe të shirave do të mbetet Europa Veriperëndimore, qendrore, dhe Rajoni i Mesdheut por shirat do të jenë me intensitet disi më të ulët. Shira të dendur do të bien në Ballkanin Verior dhe në Zonën e Alpeve të cilat do të shoqërohen me forcim të erës. Gjithashtu shira në formë rrebeshi do të ketë në vendet Balltike ku temperaturat do të vijojnë të jenë të ulëta për shkak të prezencës së shirave gjatë gjithë ditës. Ndërsa me kthjellime dhe vranësira kalimtare do të karakterizohen Europa jugperëndimore, juglindore dhe një pjesë e Europës Lindore.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Ballkani Verior do të mbetet me shira intensiv dhe stuhi ere

- Balltiku rrezikohet për shira intesive dhe temperatura të ulëta

- Zona e Alpeve alarmon shira intensiv dhe stuhi të forta ere

a.y/NOA

KOMENTE