English

Shqipja e sotme

Zenun GJOCAJ

(Mendime për librin e Dr. B. Kryeziu, “Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik”)

Me punimet e veprat e tij shkencore të deritanishme, prof. dr. Bahtiar Kryeziu i ka dhënë një kontribut të çmuar gjuhës së sotme shqipe, pos mësimdhënies mbi tridhjetëvjet në shkollimin e lartë. Këtë vit na doli edhe me një përmbledhje punimesh të ndara në katër kapituj:

Kundrime gjuhësore, Kumtime, Gjuha dhe shkolla dhe Gjuha në praktikë.

Libri përbën çështje të diskutueshme gjuhësore lidhur me shqipen standarde, kumtesa të lexuara në përvjetorë e sesione të ndryshme për gjuhëtarë të shquar shqiptarë, si: E. Çabej, S. Riza, I. Ajeti, J. Thomai , si dhe artikuj për çështje të ndryshme të natyrës praktike të përdorimit të shqipes në praktikën shkollore e përdorime të tjera publike.

Pos vlerës shkencore, vepra prodhon rreze veprimesh të gjera teorike e praktike të jetës së përditshme gjuhësore për të gjitha nivelet intelektuale: studentë, arsimtarë, profesorë etj. Po ashtu, autori trajton edhe shkaqet e zhvillimit të ngadalshëm gjuhësor drejt standardizimit të mirëfilltë e të mjaftueshëm, ngase disiplina gjuhësore e shtetit çalon… (7).

Nga pikëpamje të ndryshme profesionale, autori mëton ta sqarojë krizën e standardit të shqipes apo krizën e mendësisë sonë – përkujdesjen ndaj përdorimit sa më të vetëdijshëm të gjuhës së njësuar, dhe më tej, të asaj standarde, drejt hapave të pasurimit të gjithanshëm leksiko-semantik e gramatikor, përgjithësisht drejtshkrimor e stilistik të saj. Në këtë kontekst, autorit i duket sikur shqipja ndër 10-12 gjuhët më të vjetra të botës, po nënvlerësohet, pikërisht prej nesh.

Në vijim autori i përball "argumentet" e nihilistëve të standardit, në të cilet fshehet lakmia krahinore, dialektore, përzihet politika, nënçmimi i kreut të atëhershëm gjuhësor, nga të cilët e kishin gojën e qepur (Çabej e Domi), se gjoja asokohe kishte shqiptarë të dyshuar kombëtarisht (A. Kostallari), se Kongresi i Drejtshkrimit e përkrahu njëfarë superioriteti ndaj toskërishtes nën ndikimin e politikës ditore të kohës e shtetit, ku shqipja është "një gjellë me pilaf toskë e piper gegë" (A. Pipa), se shqipja standarde është e paaftë, për shkak të varfërisë së formave gramatikore, leksikut e frazeologjisë etj. (13-14)

Ndërkaq, përkrahësit e standardit aktual të shqipes mbështeten në synimin e aspiratave shekullore, drejt konvergjencës jo vetëm gjuhësore etnike, dëshmuar me luftërat e pandërprera, paguar me gjakderdhje të shumta e të pandërprera deri më sot e kësaj dite, se Kongresi i Drejtshkrimit ishte i përbërë nga përfaqësues të viseve etnike, se njësimi i gjuhës e kushtëzon edhe njësimin e kombit, tanipërtani ende të copëzuar, edhe pse i larë me gjak në disa pjesë të tij, i vetëdijshëm se standardizimi do kohë për t’u stabilizuar, bazuar në praktikat e gjuhëve të mëdha e të vjetra shkrimore..

Andaj autori sugjeron, që, në vend të përpjekjes së rrënimit të kullës së shqipes të ndërtuar sidomos që nga Rilindja, të hapet front drejt bashkëveprimit ndërdialektor në planin leksiko-semantik e gramatikor, pa i mbyllur dyert e ecjes së gjuhës përpara, krahas të gjitha fushave jetësore, gjithnjë në planin e prefeksionimit të saj, sepse gjuha është organizëm i gjallë, e pasuruar prej dialekteve dhe e përpunuar nga ekspertët e gjuhës dhe institucionet përkatëse shkencore, siç janë akademitë e shkencave dhe institutet gjuhësore-filologjike etnike (IAP, IGJ etj.).

Përndryshe, kërcënimi i prapakthimit të gjuhës në dy e tri variante rrezikon edhe fusha të tjera (shoqërore, fetare, ndërkrahinore, ndërdialektore etj.).

Autori ankohet edhe për mosmbrojtjen legjislative institucionale të gjuhës, si ndër popuj të tjerë. Tek e fundit, tjetër është vetëdija kombëtare për njësimin e gjuhës, tjetër norma e tjetër standardi. Megjithatë, edhe vetë autori mbështet idenë për rishikim të gjuhës, sidomos në planin gramatikor:

te shumësi i emrave me –j / nj (lum-lumej / -nj; ë / a, (grusht, grushte / grushta) etj

Shpërfillja e gjuhës po vërehet edhe në Kosovë – shkruan autori (46, 1-21), qoftë në moskujdesin e të folurit në biseda, në reduktimin programor të shqipes në programet shkollore, në moskujdesin e konrollimit ë drejtshkrimit në aktet normative gjyqësore, zyrtare etj., duke e kthyer shqipen në gjendje të drunjëzuar.

Sidomos tani në kohën e globalizimit, jo vetëm të gjuhëve në botë, por edhe në unifikimin e botës në një gjuhë e në një kulturë, që mund të shkaktojë anashkalimin kombëtar të gjuhës e kulturës amtare, regjionale, kontinentale etj., një si proces shkatërrimtar i njerëzimit. Në këtë kontekst, fjalët e huaja ka rrezik t’ia zënë frymën çdo gjuhe të vogël e të mesme të popujve jo gjithaq të zhvilluara ekonomikisht etj. Por aty ku lipset plotësuar boshllëku, nevoja, me fjalë dhe shprehje, qofshin ato edhe prurje nga gjuhët e tjera, ato duhen pranuar, në funksion të një komunikimi gjuhësor sa më të natyrshëm.

Edhe Sosyri pati konstatuar se gjuha është e paprekshme, por jo edhe e pandryshueshme, sikundër është fjala për rishikime të arsyeshme e shtesa të caktuara tekniko-shkencore.

Te shqiptarët, kriteret e formimit të gjuhës së njësuar letrare, pak a shumë, janë përcaktuar që në fillim të shekullit 20 (Gurakuqi, Xhuvani, Konica, Logoreci etj.), fillimisht më tepër në nivelin individual, përderisa u institucionalizua në gjysmëshekullin e dytë, që e lame, madje edhe në Kosovën e robëruar, për t’u shtetëzuar pjesërisht me baza shkencore në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Por kristalizimi, normëzimi dhe së fundi standardizimi vazhdon edhe sot e kësaj dite. Dhe le të vazhdojë – porosit autori i këtij botimi.

Shumë faqe në vepër i kushtohen globalizmit, siç vepruan edhe disa gjuhëtarë të tjerë, si Q. Muratit, Sh. Islamajt, etj., nga pikëpamja se a e ndihmon apo dëmton gjuhën procesi i tillë

Autori është optimist dhe i vetëdijshëm se procesi i tillë është i pashmangshëm. Por këtu, pos tjerash, do shoshitur fjalët ndërkombëtare –

kalket, fjalët e rrënjosura (purrin, prak, çarshaf, legen, dhomë, prone, qëndis, barkë, paguaj, fitoj, xhan, milet etj ).

Në këtë kontekst, autori është për një masë të arsyeshme të globalizimit: as të tepruar, as të mangët, aty ku mungon fjala apo struktura leksikore shqipe.

Sipas autorit, edhe standardizimi duhet të vihet në fushën e diskutimeve "në favor të rregullimit më të mirë të rregullave të drejtshkrimit"

(dë / bore), kron a kroi, e ejte / e enjte, male të lartë / male të larta, mësues / mësuesa, gishta / gishtërinj, nipa / nipër etj.

Një kapitull i veçantë u kushtohet kumtesave të lexuara në sesione të ndryshme shkencore me titull: Kumtime, ku autori trajton çështje të ndryshme aktuale të gjuhës shqipe. Ndër to, figurat, për të cilat flet B. Kryeziu, i vë në planin dinamik, si Çabejn (në pikëpamje të kontributit të tij për standardizimin e shqipes), duke prekur edhe tendencat e antistandardistëve që përpiqen ta kthejnë prapa procesin e njësimit të gjuhës.

Tek e fundit, ç’vlerë ka qyteti i ri pa vlerën arkitekturale të objekteve të vjetra shekullore. Kështu, në vend të ecjes para, kacafytemi si ta prishim godinën gjuhësore të derisotme. Ç’fitojmë? Një godinë mangu, me të cilën do të dëshmonim se kemi një histori të bujshme e të pasur kulturore. Në këtë kontekst shqyrtohet edhe mendimi i S. Rizës për kulturën e gjuhës, i cili pranon më në fund se gjuhë letrare shqipe do të jetë toskërishtja e folur prej gegëve (105). Ai trajtoi qartësinë maksimale logjike e kuptimore të shprehjes, saktësinë dhe efektivitetin e shprehjes dhe të koncepteve.

Në vepër i jepet merita që dhe i takon edhe akademik I. Ajetit, pos tjerash, figurës së çmuar që punoi parreshtur, medje edhe në rrethana të vështira politike për formimin e jetësimin e standardit të gjuhës shqipe.

Autori e sheh të arsyeshme që të trajtojë një kumtesë të vaçantë edhe për gjuhëtarin e merituar, Jani Thomai, sidomos në fushë të leksikologjisë e frazeologjisë, ndër të rrallët në gjuhësinë shqiptare, pos detyrës si mësimdhënës 4-5 dekadash në Universitetin e Tiranës e të Prishtinës si dialektolog, leksikolog, leksikograf, frazeolog, semasiolog, gramatikan, duke përfshirë edhe përpjekjet e tij për pastrimin e pasurimin e gjuhës sonë.

Prej autorit mësojmë jo vetëm përmes një citati se pasuri gjuhësore ishin e mbeten edhe njësitë frazeologjike të mbarë gjuhës që nuk kanë asnjë tregues dialektor:

brez pas brezi, me krah hapur, me mend në kokë etj.

Një kapitull të vaçantë Kryeziu i kushtoi Kongresit të ABE-së në Manastir, sidomos këndvështrimit pas një shekulli.

Pasojnë trajtesat për përdorimin e shqipes në fushën e arsimit, ndërhyrjet e termave të reja në programe: kurrikulum-i, pastaj evaluim që, sipas tij kanë fituar pushtet të panevojshëm leksiko/semantik në gjuhën shqipe, përderisa mund t-i përgjegjëdet shqipe: vlerësim; prorektor (për zëvendës), workshop (për seminar, jo punëtori), master, taksonomi, etj.

Me qëllim të standardizimit të shqipes, autori propozon hartimin e gramatikave diferenciale për nevojat e nxënësve, për t’i parë shmangiet e për t’i luftuar ato.

Vepra trajton edhe disa vështirësi rreth përcaktimit të pjesëve të ligjëratës gjatë analizës morfologjike, sidomos për shkak të kalimit të një pjese të ligjëratës në një tjetër (konversionit), si te shembujt:

"Ai më doli përpara (ndajfolje); ai rrinte përpara meje (lidhëz)

Vepra paraqet një punim për homonimet dhe rëndësinë e tyre, por autori është edhe bashkautor (me Ali Jasharin) për një fjalor himonimesh shqipe

Në kapitullin Gjuha në praktikë autori shoshit terma, fjalë e togfjalësha të huaj e asosh shqipe të gabuara, shpesh dhe të pakuptimtë ("aktiviteti nxemës"), konstrukte të palogjikshme (të lirohen të burgosurit padrejtësisht), si dhe fjalë me përdorime të ngatërruara: adaptim (përshtatje) – adoptim (birësim); afrim (afroj) – ofrim (e ndihmoj dikë). Kështu edhe fjalët: emigrant – imigrant, emetim – imitim, frut – fryt, thirrje – titull etj.

Në fund po theksojmë se libri Shqipja e sotme – këndvështrim teoriko-praktik i dr. Bahtijar Kryeziut, hapet me një parathënie të shkruar nga gjuhëtari i njohur, prof.dr. Emil Lafe, dhe përmbyllet me një fragment recensioni (në pjesën e pasme të kopertinës së librit) po nga profesor Lafe.

Me kët vepër B. Kryeziu shënoi edhe një gur themeli të gjuhësisë shqipe të një rëndësie të veçantë.

NOA

KOMENTE