English

Tatimorët e bashkisë në terren: Vilen 13 % taksa të papaguara më shumë se vjet

Tiranë, 17 gusht 2011, NOA – Pas premtimeve elektorale të Lulzim Bashës për shkurtimin e 60 taksave dhe uljen 2-5 herë të atyre që mbeten, Bashkia e Tiranës lajmëron se ka rritur ndjeshëm arkëtimet nga vjelja e taksave të papaguara duke vjelë 13 përqind më shumë në krahasim me gushtin e vitit të shkuar.

Kontrollet e Drejtorisë së Tatim Taksave në Bashkinë e Tiranës nisën pasi arka e bashkisë u gjet e boshatisur nga mosvjelja e taksave muajt e fundit nga administrata e shkuar, dhe shuma e parave e mbetur nuk dilte as për të paguar rrogat e punonjësve.

Aksioni i tatimorëve të bashkisë duket se ka përmirësuar ndjeshëm rezultatet e të ardhurave gjatë tri javëve të fundit, që datojnë edhe me nisjen e administratës së re të bashkisë së kryeqytetit.

Bashkia bën me dije se janë rritur të ardhurat, është shtuar numri i kontrolleve, ka nisur puna për mbledhjen e borxheve, si dhe janë marrë masa në rastet e konstatimit të paligjshmërisë në territorin e Kryeqytetit.

Sipas bashkisë niveli i mbledhjes së taksave deri në fund të muajit korrik ishte 55 përqind krahasuar me muajin korrik të vitit të shkuar.

Ndërkohë, sot niveli i mbledhjes së taksave është rritur me 13 përqind, pra 68 përqind, krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar.

Bashkia bën me dije se kontrollet e inspektorëve të tatim-taksave gjatë këtij viti kryheshin 1 apo 2 herë në muaj, ndërsa sot këto praktika janë shumëfishuar në funksion të reduktimit të informalitetit.

“Drejtoria e Tatim-Taksave vazhdon punën për nxjerrjen e borxheve, si dhe ka njoftuar subjektet(377 te Biznesit te Madh dhe 244 te biznesit VIP) duke u bërë të ditur detyrimet që ata kanë. Gjithashtu, Drejtoria e Tatim-Taksave ka bërë thirrje për respektim te afateve për shlyerjen e borxheve, duke u kujtuar subjekteve se në rast të kundërt nuk do të përfitojnë dot nga ligji i faljes së gjobave, dhe si pasojë do të mbetet në fuqi edhe detyrimi edhe penaliteti”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Inspektorët e tatim-taksave gjatë kontrolleve në terren kanë evidentuar 369 subjekte tregtare të paregjistruara dhe janë marrë masat për futjen e tyre në skemën e pagesës së taksave.

Gjithashtu, në bashkëpunim me policinë bashkiake janë marrë masa për lirimin e hapësirave publike ne 247 raste, dhe rikthimin e tyre për qytetarët.

Bashkia e Tiranës bën me dije se përmirësimi i punës së Drejtorisë së Tatim-Taksave ka ardhur si rezultat i reduktimit të informalitetit, rritjes së kontrollit dhe menaxhimit me efiçensë të fondeve publike.

Drejtoria e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës komunikon me subjektet dhe lë afate për shlyerje, kur konstatohen paligjshmëri, ndërkohë që masa ligjore ndërmerret vetëm pas kalimit të afatit.

Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, të cilat e sollën atë në krye të qeverisjes së Tiranës, u premtoi qytetarëve të kryeqytetit se do të reduktojë 60 taksa në kryeqytet, ku sipas tij numërohen mbi 80 lloje taksash dhe tarifash vendore.

Këtë premtim kryebashkiaku i Tiranës tha se do ta vërë në jetë duke synuar që heqja e taksave do të krijojë bazë më të gjerë taksapaguesish dhe do të rrisë të ardhurat, të cilat sipas tij do të shpenzohen për investime publike në infrastrukturë, dhe për përmirësuar shërbimet më të rëndësishme në kryeqytet.

mit/NOA

KOMENTE