English

Ç’duhet bërë me Gadafin?

Nga David Kaye Liderët e kryengritësve libianë shprehin dëshirën për ta gjykuar kolonel Muamar Gadafin në gjykatat libiane, nëse dhe kur të kapet. Në princip, libianët e kanë hak kënaqësinë që mund të sjellë vetëm drejtësia e brendshme. Gjyqet kombëtare do të rritnin sundimin e ligjit dhe do të lejonin libianët të ishin zot të tranzicionit të tyre politik. Një problem: Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, me bazë 1400 kilometra larg, në Hagë, tashmë ka lëshuar një urdhër arresti për kolonel Gadafin, të birin dhe numrin dy në komandë, Seif al-Islam Gadafin, dhe kreun e inteligjencës, Abdullah Senussin. Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i vetëdijshëm që krimet e pretenduara të kolonel Gadafit nuk janë vetëm kundër libianëve por kundër njerëzimit, i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në muajin shkurt të hetonte situatën në Libi. Tani, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në mënyrë legjitime kërkon të gjykojë tre autoritetet për mizoritë e kryera që prej fillimit të kryengritjes në Libi dimrin e kaluar. Disa argumentojnë se qeveria e re libiane do të jetë e obliguar për të transferuar kolonel Gadafin dhe ndihmësit e tij në Hagë. Të tjerët argumentojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve duhet t’u lëshojë pe autoriteteve libiane nëse ata janë të gatshëm dhe në gjendje të gjykojnë në mënyrë të drejtë kolonel Gadafin në gjykatat e tyre. Një opsion më i mirë mund të kënaqë si partizanët e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve po ashtu edhe liderët e rinj të Libisë: të lejohet GJNK-ja të gjykojë të paditurit, por kjo të ndodhë në Libi. Gjyqet kombëtare janë aq të rëndësishme saqë Libia post-gadafiane do të ketë nevojë, të paktën në afatin e shkurtër, për infrastrukturën e nevojshme për ndjekje penale të tilla komplekse. Ashtu si në Irak pas rrëzimit të Sadam Hyseinit, gatishmëria për t?iu përmbajtur procesit themelor mund të testohet. GJNK-ja megjithatë ka eksperiencën, ekspertizën dhe infrastrukturën ligjore për të gjykuar krimet masive. Ajo ka vendosur një forcë të madhe hetuese në dokumentimin e krimeve të kryera që nga mesi i shkurtit. Një proces gjykimi i drejtë mund të fillojë në të ardhmen e afërt. Se ku duhet të mbahet ky gjyq është një tjetër pyetje. Gjykimi në Hagë do të përballej me kufizime. Veprimtaria e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve normalisht kryhet shumë larg skenës së krimit, në një gjuhë të huaj, shpesh në përputhje me rregullat dhe procedurat që mund të jenë të pakalueshme për komunitetin e viktimës. Gjykata ka hasur në vështirësi të mëdha në edukimin komuniteteve lokale kudo në Afrikë lidhur me punën e saj, një problem që nuk ndodhi me Gjykatën Speciale për Sierra Leonen në Freetown dhe me Gjykatën e Khemer Rouge-it në Phnom Penh, të cilat janë gjykata hibride, me ligje dhe personel kombëtar e ndërkombëtar. Gjyqi i kryer në Tripoli nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve do të kishte përfitime praktike dhe simbolike. Ç’është më e rëndësishmja, do të ishte më afër komuniteteve të cilët kanë nevojë të shikojnë që drejtësia është vënë në vend. Në procedura mund të përfshiheshin më shumë libianë, ç’ka do t’i mundësonte Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (GJNK) më shumë akses tek viktimat dhe do u jepte avokatëve të rinj dhe profesionistëve të tjerë libianë një eksperiencë me sistemin modern të drejtësisë. Kjo do t’i jepte stafit të GJNK-së një mundësi për t?u angazhuar direkt me shoqërinë për të cilën ata po punojnë, ndërkohë kjo do të shërbente si një platformë për komunitetin ndërkombëtar për të ndihmuar Libinë në rivendosjen e sundimit të ligjit. Gjykimi në Tripoli, me pjesëmarrje simbolike të libianëve, mund të sinjalizojë gjithashtu një drejtim të ri për Libinë, në mënyrë që të favorizohet mbisundimi i ligjit dhe integrimi me institucionet e shoqërisë ndërkombëtare. Kjo mund të nxiste ndjekjet penale të autorëve të tjerë të krimeve dhe mund të ndihmonte procesin e pajtimit në nivel kombëtar, po ashtu sikurse hetimet për çdo krim serioz të kryer nga kryengritësit, një sinjal që qeveria e re beson në drejtësi dhe në një shoqëri të bashkuar. Kjo do të krijonte disa lehtësira për liderët e rinj libianë ndërkohë që ndërtojnë sistemin e ri, teksa nuk pengohen nga gjykimi i mëvonshëm i kolonel Gadafit për krimet e kryera gjatë katër dekadave të kaluara. Kryerja e këtij gjykimi në Tripoli në mënyrë të padiskutueshme do të krijonte mundësi të konsiderueshme për të ndërtuar ose rinovuar objektet e gjykatave. NATO ose forca të tjera me lejen e Këshillit të Sigurimit mund të jepnin ndihmesën e tyre në sigurimin e të pandehurve në paraburgim. Edhe GjNK-ja vetë do të kërkonte siguri të forta që të mos bëhej objektiv për mbeturinat e regjimit të vjetër. Këshilli i Sigurimit, i cili pati mirësinë t?i referohej Libisë për hetim, duhet të ndihmojë tani duke autorizuar këtë lloj mbështetjeje dhe duke bërë të ditur burimet e financimit dhe të ekspertizës për gjykimin. Ndërkohë, jo të gjitha procedurat duhet të kryhen në Libi, procedurat paraprake mund të fillojnë në Hagë teksa më pas lëvizin në drejtim të Tripolit. Asgjë nga këto nuk duhet të duket e jashtëzakonshme. Gjyqet e Nurembergut të kryera pas Luftës II Botërore fituan së tepërmi autoritet nga fakti se po kryheshin në shtetin përgjegjës për krimet më të mëdha të shekullit XX. Statuti i Romës i Kartës së Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve e lë të hapur mundësinë e kryerjes së gjyqeve jashtë Hagës. Pas dekadave të shtypjes dhe gjashtë muaj lufte, libianët meritojnë të drejtën për të vendosur shtypësit e tyre para drejtësisë. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbështesë këtë përpjekje, dhe ta përforcojë duke siguruar normat themelore të së drejtës ndërkombëtare. Për libianët, gjyqi i kryer nga GJNK-ja në Tripoli duhet të jetë një urë drejt marrjes në zotërim të së ardhmes së tyre. David Kaye është drejtor ekzekutiv i Programit Ligjor për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut në Universitetin e Kalifornisë

KOMENTE