English

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Rama: PS nxjerr vendin nga kriza

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është mbledhur në orët e para të paradites së sotme, ku kryetari Edi Rama ka shprehur dhe njëherë mirënjohjen për SBA dhe ambasadorin e saj Aleksandër Arvizu për mbështetjen dhe këmbënguljen e tyre për të çuar deri në fund hetimet mbi 21 janarin e 2011.
Rama në fjalën e tij tha se PS nuk është e interesuar vetëm për të dalë në dritë dora e ekzekutorëve, por edhe për t’u vënë përpara përgjegjësisë urdhëruesit e tyre: “Ata që kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të drejtojnë strukturat të cilat në 21 janar vranë dhe plagosën qytetarë të pafajshëm.”
Gjithashtu “Fitorja në zgjedhje, nuk është thjesht fitorja e Partisë Socialiste, apo e opozitës së sotme në një ballafaqim normal politik, por është fitorja e një populli të tërë përballë një qeverisje të kthyer në rregjim.” ka theksuar kreu i Partisë Socialiste.

Fjala e plotë e kryetarit të PS Edi Rama në Asamblenë e mbledhur sot në 22 janar 2012

Sot kemi një mbledhje e cila është e posaçme për faktin se do të vendosim bashkërisht ndarjen e përgjegjësive të secilit anëtar të kësaj Asambleje Kombëtare për t’i dhënë jetë axhendës së ngjeshur politike dhe organizative të Partisë Socialiste. Ndërkohë që dëshiroj të përfitoj nga prania e mediave për të falënderuar në emër të familjeve të 4 dëshmorëve të 21 janarit, të gjithë qytetarët që shprehën solidaritetin e tyre qytetar dhe njerëzor në homazhet e djeshme. Por jo vetëm ata që ishin të pranishëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por dhe të gjithë ata të tjerë të panumërt që nuk munguan ta shprehin këtë solidaritet në të gjitha rrugët e komunikimit të drejtpërdrejtë me ne apo me publikun. Rinënvizoj mirënjohjen tonë, por edhe në emër të familjeve të katër të rënëve në 21 janar, si edhe në emër të të gjithë atyre që në 21 janar u plagosën apo u torturuan barbarisht në komisariatet e policisë,ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht ambasadorit Arvizu për angazhimin këmbëngulës në mbështetje të një hetimi të thellë dhe deri në fund të 21 janarit, për të zbardhur të 4 vrasjet dhe për të ndëshkuar vrasësit. Bashkëngjis këtu kërkesën tonë publike dhe këmbëngulëse për prokurorinë e cila bazuar mbi të gjitha provat dhe falë mbështetjes së ekspertizës më të lartë botërore në drejtim të interesimit të saj i shkoi deri në fund çështjes së drejtësisë për 21 janarin.
Sigurisht, që për sa na takon dhe për interesin kombëtar e publik në funksion të një shteti të mirëfilltë të së drejtës në Shqipëri ne nuk jemi të interesuar vetëm për të dalë në dritë dora e ekzekutorëve, por edhe për t’u vënë përpara përgjegjësisë urdhëruesit e tyre. Ata që kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të drejtojnë strukturat të cilat në 21 janar vranë dhe plagosën qytetarë të pafajshëm. Protestues të paarmatosur, të cilët ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar.
Nga ana tjetër sot është dita për të ndarë përgjegjësi e detyra dhe për të filluar rrugën e programit të ri të Partisë Socialiste qytet më qytet e fshat më fshat. Për të komunikuar me shqiptarët, me çdo grup interesi e komunitet për alternativën që ne kemi për Shqipërinë “Për një Rilindje Shqiptare”. Programi ynë i Kongresit të 5 nëntorit nuk është fjala e fundit, por është hapi i parë. I cili duhet të pasohet nga hapat që bashkërisht do të hedhim në drejtim të qytetarëve, për të dëgjuar historitë e tyre. Në fund të fundit më shumë se kushdo tjetër, më shumë se çdo akademik apo ekspertë janë ata që e vuajnë drejtpërdrejtë në jetën e përditshme, keqqeverisjen, krizën e demokracisë, krizën e ekonomisë, krizën e shoqërisë.
Ne kemi marrë një angazhim solemn për të vendosur në themelin e alternativës sonë “Për një Rilindje Shqiptare” një politikë të re e cila sensin e drejtësisë e ka shtysën e vet parësore. Sensin e drejtësisë duke filluar nga domosdoshmëria për të qeverisur me drejtësi, për të marrë vendime të drejta në të gjitha aspektet dhe për të përçuar frymën e së drejtës për të gjitha qeliza e shoqërisë. Programi ynë kërkon nga njëra anë një zbërthim të të gjithë tezave të guximshme që ai përmban, për të ndërtuar politika të reja që priren drejt ndryshimesh radikale, por nga ana tjetër kërkon kontributin e të gjithëve. E të gjithë qytetarëve të interesuar për ndryshimin e domosdoshëm. E çdo shqiptari të interesuar për ribashkimin e Shqipërisë me Europën, duke e ndërtuar Shqipërinë europiane në komunitetin e tij dhe duke marrë frytet e kësaj Shqipërie në jetën e tij të përditshme. E për këtë arsye unë besoj se duke filluar që nga zemra e programit tonë që ka të bëjë me nevojën akute të vendit për t’i dhënë shoqërisë sonë mundësinë të dalë nga kriza e thellë ekonomike, ne kemi detyrimin të shpjegohemi deri në detaje me ata të cilëve nesër do t’u kërkojmë votën.
Kemi marrë përsipër të bëjmë një përmbysje rrënjësore të të gjithë sistemit të mbledhjes dhe të shpërndarjes së të ardhurave. Kemi premtuar të vendosim në themelin e këtij sistemi frymën e së drejtës duke u angazhuar që kush fiton më shumë të paguajë më shumë, kush fiton më pak të paguajë më pak. Do t’i japim fund padrejtësisë që është në themelin e sistemit të sotëm ekonomik, duke filluar nga eliminimi i taksës së sheshtë, që ngarkon në dukje njësoj që të gjithë me detyrime ndaj shtetit, por që në fakt rëndon ata që fitojnë më pak. E sjell në paradokse të tilla tërësisht të papranueshme që një rrogëtar i thjeshtë në shtet apo në privat kontribuon për shtetin më shumë se kryeministri apo se ministrat.
Nga ana tjetër na takon të shpjegohemi qartësisht edhe me motorrin e zhvillimit ekonomik që është sipërmarrja shqiptare, për të bërë të ditur se politika jonë nuk është një politikë e diskriminimit të sipërmarrjes por është e vetmja politikë që sot mund të garantojë drejtësi në konkurrencë, liri në konkurencë, ndershmëri në konkurencë dhe vlerësim të secilit sipas meritës. Meritë që në rastin e sipërmarjes e përcakton konkurenca. Për këtë arsye kemi nevojë të dëgjojmë nga afër historitë që kanë për të na treguar ata që sot përpëliten në botën e sipërmarrjes shqiptare, për shkak të një padrejtësie të thellë që fillon nga pamundësia për të konkuruar lirisht dhe nga një klientelizëm i shfrenuar që e ka kthyer pushtetin në ortak të një grushti biznesmenësh për të cilët nuk ka asnjë kufi. Ndërkohë që, falë kësaj ortakërie për të tjerët ka vetëm pengesa, postblloqe dhe rrjepje të vazhdueshme të lëkurës së tyre.
Sigurisht, që ne duhet të flasim dhe për shumë gjëra të tjera, që kanë të bëjnë me angazhimin solemn për të shkuar drejt një shoqërie të drejtë dhe të një shoqërie e cila mëton t’i japë dorën atij që është i pamundur, duke refuzuar të thotë se kush është i papunë dhe nuk mund të sigurohet, nuk mund ta gëzojë shërbimin shëndetësor përveçse duke paguar fatura të rënda dhe të dyfishta. Nga njëra anë faturat që imponon ky sistem dhe nga ana tjetër faturat që imponon korrupsioni.
Ne jemi angazhuar ta blejmë shërbimin shëndetësor për të gjithë shqiptarët që nuk e blejnë dot dhe do ua ofrojmë atyre falas, në një shoqëri të drejtë, në mes të Europës, në shekullin XXI, nuk mund t’i thotë të papunëve që nuk marrim dot përsipër kujdesin për shëndetin tuaj.
Ne jemi angazhuar që të ndërtojmë një sistem arsimor i cili duhet t’i përshtatet domosdoshmërisë që ata që sot janë në bankat e shkollave apo në auditoret e universiteteve, nesër të jenë qytetarë të barabartë të Europës së Bashkuar, me dije të plota për kohën që jetojmë dhe të aftësuar për të përballuar sfidat e kësaj kohe. Nga ana tjetër ne refuzojmë t’i konsideojmë universitetet e vendit si vendi ku streohen të gjithë të rinjtë e papunë, me iluzionin e një diplome e cila është thjesht një letër pa vlerë. Papunësinë ndër të rinj, që është plaga më e thellë e kësaj shoqërie sot, në sensin e të nesërmes, ne do ta adresojmë me një refomë të thellë të sistemit arsimor, duke ju dhënë mundësi atyre që nuk e përballojnë dot deri në fund konkurencën në rrugën e arsimimit, mundësinë e një arsimimi profesional, dhe me radhë dhe shumë aspekte dhe çështje të tjera.
E vërteta e madhe është se programi ynë mishëron në letër ndryshimin që ka nevojë sot Shqipëria dhe shoqëria. Ndryshimin që ju duhet sot njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, familjeve që sakrifikojnë dhe torturohen nga njëmijë e një pamundësi, për t’u dhënë një të ardhme të denjë fëmijëve të tyre. Por nuk mund të ketë të ardhme të denjë për askënd në këtë vend, në rast se ky vend nuk bëhet vendi ku konkurenca është e lirë, e drejtë për të gjithë dhe ku merita është ajo që vlerësohet më e para. Të gjitha këto janë tema të një diskutimi që ne do ta hapim në të gjithë Shqipërinë, për të komunikuar me njerëzit dhe për t’u thënë se pse PS, pse Aleanca e sotme e PS me të gjithë ata që janë rreshtuar pranë nesh, është alternativa që zgjidh probleme të drejtëpërdrejta të tyre.
Dëshiroj po ashtu të theksoj se e gjithë kjo do të shkojë paralelisht me një punë të madhe, voluminoze, të mundimshme për një riorganizim tërësor dhe rrënjësor të Partisë Socialiste në kuptimin e hapjes së saj dhe të përfshirjes në të, të të gjithë atyre që dëshirojnë të japin një kontribut në këtë ballafaqim mes të shkuarës që mban Shqipërinë peng dhe të ardhmes që ne duam të ndërtojmë për vendin. Që do të thotë që edhe objektivin e përcaktuar nga Kongresi i 5 nëntorit, për rritjen 30% të anëtarësisë së Partisë Socialiste, ta shohim si pjesë përbërëse të rrugës së programit. Njerëzit do t’i ftojmë të bashkohen sepse kemi sot një alternativë që është alternativa e tyre, ku ata gjejnë përgjigjet për pyetjet e tyre dhe ku ata janë të ftuar të kontribuojnë që përgjigjet të jenë sa më të plota dhe sa më bindëse. Ne nuk pretendojmë se çdo gjë e shkruar në programin tonë është e përfunduar dhe do të mbetet e tillë deri në fund. Ne pretendojmë që tezat e këtij programi janë themele mbi të cilat ne mund të shkojmë më tutje duke përpunuar të gjitha përgjigjet për pyetjet që ka sot shoqëria dhe për pikëpyetjet që ka sot Shqipëria, së bashku me të gjithë të tjerët.
Dua t’i përgëzoj të gjitha ata që organizuan 15 janarin, 20 vjetorin e FRESSH dhe që i krijuan mundësi të rinjve dhe të rejave socialistë e progresistë në të gjithë Shqipërinë, të kenë një pikë referimi. Puna jonë me rininë sot i ka të gjitha kushtet dhe mundësitë që të zhvillohet mbi një terren ku edhe programi na shërben përsëri si një instrument i rëndësishëm i bashkimit të energjive dhe të forcave.
Në fund fare dua të përsëris atë që kam nënvizuar edhe në mbledhjen e mëparshme të kësaj asambleje. Të gjithë ata që janë sot të zgjedhur në Asamblenë Kombëtare, përveç deputetëve që janë të zgjedhur drejtëpërdrejtë nga populli dhe që e kanë fare të qartë parasysh këtë që do them sepse kanë kohë që e bëjnë, duhet të vetëdijësohen se prania e tyre në Asamblenë Kombëtare ka të bëjë me domosdoshmërinë që Partia Socialsite të jetë e pranishme në çdo pjesë të territorit të vendit. Gjithësecili të jetë një zëdhënës i programit dhe i aspiratave të PS në komunikimin me çdo komunitet, me çdo pjesëz të secilit komunitet, në çdo fshat, deri në fshatin më të largët. Ky është një kusht i patjetërsueshëm i suksesit të punës sonë. Jam i bindur se në këtë pikë kemi dakortësi të plotë dhe se mbi këtë pikë, çdo njëri nga anëtaret apo anëtarët e Asamblesë, posaçërisht ata që kanë ardhur rishtaz, do të startojë duke marrë përsipër detyrën e ngarkuar dhe duke e çuar atë deri në fund, në funksion të fitores së zgjedheve të ardhshme. E cila nuk është thjesht fitorja e Partisë Socialiste, apo e opozitës së sotme në një ballafaqim normal politik, por është fitorja e një populli të tërë në një betejë të zgjatur, të mundimshme, plot sakrifica, deri edhe sublime si ato që përkujtuam dje, përballë një qeverisje të kthyer në rregjim. Përballë një rregjimi i cili ka vetëm një rrugë, të shfrytëzojë të gjithë makinerinë e tij për të përbaltur gjithçka e këdo dhe për t’u thënë shqiptarëve se këtu nuk ka shpresë, se këtu janë të gjithë njësoj dhe se këtu nuk ja vlen të merrni mundimin të zgjidhni pasi asgjë nuk do të ndryshojë. Jo! Jo! Jo! Gjithçka do të ndryshojë dhe ne jemi të angazhuar për këtë! Ne do ta bëjmë ndryshimin!

KOMENTE