English

NATO, qeveria shqiptare mbështet anëtarësimin e Maqedonisë

Tiranë, 22 gusht 2011, NOA - Kryeministri Berisha priti sotnjë takim ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë z. Fatmir Besimi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe u ritheksua vendosmëria dhe angazhimi i të dy qeverive e vendeve për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë ligjore dhe rrugore për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, ministri Besimi e informoi Kryeministrin Berisha se edhe qeveria maqedonase është duke punuar për projektin e segmentit hekurudhor me qëllim mundësimin e lidhjes me infrastrukturë hekurudhore midis të dy vendeve, si edhe ka parashikuar në programin e saj për këtë mandat projekte rrugore për bërë të mundur lidhjen me rrugën e Arbrit, e cila është duke u ndërtuar në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu që distanca ndërmjet dy kryeqyteteve të shkurtohet. Në takim u vlerësua edhe rëndësia jetike e Korridorit 8-të për bashkëpunimin midis dy vendeve, por dhe atë rajonal.

Kryeministri Berisha rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe, duke vlerësuar faktin që Maqedonia ka plotësuar kriteret ushtarake dhe të tjera për tu bërë vend anëtar i Aleancës, uroi gjetjen e një zgjidhje midis të dy vendeve fqinje e mike për çështjen e emrit, në mënyrë që t’i hapet rruga anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë. Kryeministri Berisha rishprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për qëndrimin që qeveria maqedonase mbajti ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, duke theksuar se respektimi rigoroz i kufijve aktual në rajon, konsolidimi i shtetit të së drejtës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është një kusht themelor për stabilitet dhe siguri në rajon, si dhe për luftën e suksesshme ndaj krimit e trafiqeve të paligjshme.

a.q/NOA

KOMENTE